Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni të vogël pranë qytetit Gundelsheim, në landin Baden-Württemberg, në jugperëndim të Gjermanisë.
Policia gjermane konfirmoi se të dy personat që ndodheshin në bord kanë humbur jetën në aksident. Pas rrëzimit, avioni ka marrë flakë, ndërsa ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arritur të vënë nën kontroll zjarrin.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, avioni po afrohej për t’u ulur në një pistë pranë Gundelsheim, por për arsye ende të paqarta ka tentuar të rikthehej në fluturim.
Gjatë kësaj manovre, avioni është përplasur fillimisht me një gardh dhe më pas me një pemë, përpara se të rrëzohej në një vresht.
Përplasja dhe zjarri e kanë dëmtuar rëndë avionin, ndërsa shenjat e regjistrimit janë djegur plotësisht. Për këtë arsye, identiteti i dy viktimave nuk është bërë ende i ditur.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe hetuesit e sigurisë ajrore, të cilët kanë nisur punën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Autoritetet gjermane vijojnë hetimet, ndërsa identiteti i viktimave pritet të bëhet publik pas përfundimit të procedurave të identifikimit.
#Gjermani #AksidentAjror #Avion #Gundelsheim #BadenWürttemberg #Tragjedi

