web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kuvendi i Kosovës shqyrton nesër ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen

4 Tetor 2026, 16:51, Kosova & Bota CNA

Kuvendi i Kosovës shqyrton nesër ndryshimet e propozuara në

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur për të hënën, më 5 tetor, seancë plenare në orën 09:00, ku pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Para seancës, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion, i kryesuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, do ta shqyrtojë atë.

Qorrolli ka njoftuar se në mbledhjen e komisionit do të shqyrtohen aspektet juridike të projektligjit, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit.

Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, për krime lufte. Të katër u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë verdiktin për akuzat për krime lufte.

Projektligji, sipas nismës së PDK-së, parasheh ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Ai parasheh po ashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

Një nga ndryshimet e propozuara është edhe mundësia që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës dha mendimin e saj për nismën, duke vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e saj.

Sipas Qeverisë, vlerësimi përfshiu përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe çështjet juridike të përmbajtjes së projektligjit.

Shqyrtimi i projektligjit po zhvillohet në një kohë kur Kuvendi po i afrohet fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, pas konstituimit të Kuvendit, dhe përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare./rel 

 





Lajmet e fundit nga