Këshilli Kombëtar i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” ka vendosur që në zgjedhjet vendore të vitit 2027 të garojë në të gjitha Këshillat Bashkiakë, si dhe për Kryetar Bashkie në ato bashki ku do të evidentohen kandidatë cilësorë me potencial për të fituar votëbesimin e qytetarëve.
Vendimi u bë i ditur nga kreu i Lëvizjes, Adriatik Lapaj, i cili, pas votimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ftoi strukturat dhe qytetarët të nisin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Të ndezim motorët për zgjedhjet bashkiake!”, ishte thirrja e Lapajt, i cili theksoi se Lëvizja do të nisë që tani procesin e afrimit të njerëzve me integritet dhe potencial për të përfaqësuar qytetarët në pushtetin vendor.
Lapaj ftoi çdo qytetar dhe intelektual që dëshiron të bëhet pjesë e alternativës së re politike, duke kandiduar në listat e “Shqipëria Bëhet”, si për Këshillat Bashkiakë, ashtu edhe për drejtimin e bashkive.
“Ky është momenti për të përballur të vjetrën me alternativën e re të vlerave”, deklaroi Lapaj, duke e cilësuar vendimin si pikënisjen e angazhimit politik të Lëvizjes drejt zgjedhjeve vendore të vitit 2027.













