Nga Gelanda Shkurtaj
Autokracia e njohur si forma e qeverisjes me një individ ose grup individësh që kanë kontrollin e shtetit, pranon shumë forma të ekzekutivit politikë. Janë të tilla, monarkia absolute, diktatura ose jo e proletariatit, dhespotizmi, oligarkia, fashizmi, apo regjimet hibride ku de-facto, nuk jetohet në një demokraci liberale. Historia mëson se udhëheqësit që kanë qëndruar më gjatë në fron, kanë qenë dishepujt e kësaj shkolle dhe të kësaj filozofie, ku pararendës si Gaddafi, Markos, apo Hoxha janë rehatuar për dekada. Ky model regjimi, vdes e ringjallet, ndofta për t’a vënë njerëzimin në zgrip të dilemës nëse janë konseguencë e vetëdijes, indiferencës, injorancës apo amnezisë së tyre kolektive?. Një profil i përbashkët psiko-analitik, i të gjithë liderëve në sistemet autrokrate, është imazhi që ata ushqejnë mbi personalitetin e tyre, dhe gënjeshtrën në publik. Diku dhuna fizike e diku tjetër arroganca verbale, i ka rrethuar me mjegullën e padepërtueshme për të dëgjuar echo-n e të vërtetave rreth tyre. Sa më shumë e shohin veten në krye të faqeve, aq më shumë besojnë tek kulti megalloman i vetvetes, edhe kur bëhen qesharakë. Gjendja trans e hipnozës ku bien, i bëjnë të besojnë fatkeqësisht, se diskurset butaforike e fshehin thelbin. Lëshuar dëshpërimisht në idilin e madhështisë, brenda lojës së pasqyrave, ku korridoret reflektuese të imazhit largojnë dhe gënjëjnë daljet, faji dhe autokritika nuk kap as fillimin dhe as bishtin e fundit. Problemi rri tek ata, që në alibinë pa rrugëdalje se kur po i vjen fundi, gënjehen nga arti i të folurit, rrënqethës, vetëmohues e heraherës mashtrueshëm përsëritës. Jo më kot proverbi popullor tregon se, po ia përsërite vetes shumë herë gënjeshtrën, fillon dhe e beson edhe vetë si të vërtetë. Propaganda, thonë, është shpirti i molepsjes psikologjike të mjeranëve, duke mbytur atë fije mendimi të mekur, që të thotë se edhe Enveristët nuk e gëlltisin më. Nuk di përse, memoria kapluar disa dekadash thërret imazhet e tregut të Beratit, ku tezgat e betonit ishin mbushur me prasë, të vetmin prodhim të Kutallisë, ndërkohë që kongresi i tetë i ppsh-së, gdhendte ditën e fitores së modelit centrist ekonomik, si para dhe pas spinaqit, mbi të gjithë kapitalizmin e kalbur. Një vit më vonë regjimi ra’, dhe busti i diktatorit u tërhoq zvarrë.
OPOZITARËT, PROTESTA DHE TË HUAJT
Mëngjeset frenetike Tiranase me trafikun kaps nga mbingarkesa, gëlojnë nga pathosi dhe engima e tmerrshme se kush do ua zgjidhi edhe njëherë fatin e lënë në mëshirë të tyre, të opozitës dhe të të huajve. Kori rreh me dhjetëra alternativa, që cimbojnë në një cep të vetëdijes, po prap se prap rezultojnë të gjitha, të pazgjidhshme. Njëra syresh lyps të sakrifikohet sakrilegji i tyre më i madh, më i rëndësishmi, pikërisht ai që i mban mbledhur ditë dhe natë, në hall e në gëzim, në të mirë dhe në të keq, derisa vdekja t’i ndajë: kafeneja. Vetëmohimi nuk bën zë në kapitull, nëse sakrifikon sportin dhe bastet, partinë e zemrës, pushtetin e karriges dhe paratë padjersë. Protesta që me të drejtë nxorri mijëra në bulevard, nuk u përgjigj asnjëherë se përse ato mijëra nuk dolën kundër, në kutinë e votimit nja dy vjetë më parë. Pa mendohemi njëherë, çfarë mbetet alternativa moszgjidhëse: Eureka! U gjet fajtori: opozita nuk funksionon, duke nënkuptuar vetëm një emër dhe një parti, atë që me çdo fjalë vetëm i bën fresk autokracisë në pushtet. Po atëherë, cili do të jetë ai që do vijë? Memoria jallane, prap kthehet tek lotët mbi xhejnazen që e qante një komb, me stomakun e prerë nga frika se vallë do bënte nëna një tjetër bir, që t’i rrihte edhe njëherë? (in vitro nuk njihej në Shqipëri). Ky po është problem, dhe populli i kafeneve nuk mund të pranojë gjithkënd për të rrëzuar një pushtet të korruptuar. Kjo është pengesa më e madhe, jo fjalavjen situata komiko-dramatike, por trashëgimtari i fronit, kush do të jetë, si do të jetë, i gjatë apo i shkurtër, i shëndosh apo i dobët, bjond, brun apo i thinjur, gegë apo toskë, i partisë time apo i partisë tënde?. Teoria e kuanteve, është më e lehtë, sesa ardhja në pushtet e një alternative opozitare, boll të lëvizë, qoftë edhe për keq, sepse nuk ka ku të shkojë më keq. Por terezia nuk vlen të prishet, sepse për tridhjetë vjetë gështenjat i kanë hequr ata, të huajt. Ata po që janë fantastikë, na zgjidhin rotacionin dhe ndërkohë ne nuk lëvizim nga kafene-ja, televizori, ndeshjet e futbollit dhe tallavaja. Kur na duhen iu shkulim edhe veshin për neglizhencë, por kur prekin atin partiak, ati shpirtëror frymëzon rikthimin tek revizionistët. Të huajt në perceptimin më sipërfaqësor, si askund përveçse në Shqipëri, mbartin kontradiktën më antagoniste të kuptimit si: edhe pushtues edhe çlirimtarë njëkohësisht.
APO DO TË TA BËJ VETJA?
Është e vërtetë se përgjegjësia është personale, por kushdo që merr një post politik e aq më tepër drejtues ka edhe disa të tjera, të bashkëngjitura: politike, morale dhe shtetërore. Çdo fjalim, i pasur me leksik, eros, pathos, batutë apo kushedi se çfarë nuk mbulon dot faktin se në një vend ku edhe sanitari i një zyre shtetërore, emërohet nga piramida e pushtetit lart-poshtë, nuk ka vend për iluzione se kush dhe si emëron kabinetin. Po, do ishte një dilemë morale, ku mbaron kufiri i përgjegjësisë së hajdutit, dhe ku fillon kufiri i përgjegjësisë së atij që e emëron hajdutin? Ndarja e përgjegjësisë personale, që e tillë nuk është, nuk shpëton atë të partisë në pushtet, e cila ka emëruar, dashur dhe mbështetur vetëm mbi një kriter dhe një filozofi: rrumpallën (neologjizëm në fjalorin politik i propozuar, me meritë të plotë nga partia në pushtet). Kjo klikë kriminelësh e pasusisë kombëtare as vetë nuk e di si lindi dhe si u katapulta në politikë, çfarë biografie politike dhe profesionale kishin lënë pas, për të marrë timonin e shtetit. Burgu po tregon se kriteret mbaheshin mbi dy këmbë: të qënit pabosht (ata me shtyllë dinë të fshehin) dhe mendjelehtë e prepotentë njëkohësisht. Dilema nëse leitmotivi i tyre politik fle midis arrogancës apo devijancës, e gjen shtratin tek kasollja e injorancës. Fali se nuk dinë ç’bëjnë, kur në anën tjetër kanë një popull që nuk di pse i votoi apo ku e kishte mendjen kur mori thesin me miell. Nëse ishte shteti apo pushteti janë retorika që përgjigjen filozofike e gjejnë tek sintagma “pula vezën apo veza pulën”, e përkthyer ndryshe në kultin “jeni ju pa jemi ne”. Të flasësh për një pushtet dhe përgjegjësi vetjake të ndarë nga shpura e të emëruarve me bekimin e një individi, pa votë, pa demokraci, pa meritokraci, pa konkurrim, janë treguesit e një monarkie de-facto, absolute të ekzekutivit. Nëse arka e Noe-s vozit e mbajtur nga lopatat e batutave dhe artikulimi i të folurit, asgjë nuk ndalon tatëpjetën. Hall është nëse do të ketë një pranverë apo dimër Shqipërie, të bërë nga vetë mileti i kafeneve, apo si gjithmonë do jetë me sytë nga ata dhe me duart e tyre. Megjithatë, një gjë që duket e pakët, por me gjasë do të e sigurtë, është efekti boomerang. Etimologjia e fjalës i ka rrënjët në popullata indigjene nga xhesti i dikujt që u nis të godiste dikë tjetër, dhe shtiza pasi përplasej, kthehej tek vetja. Nëse kjo profeci do të ngjasë nuk dihet, por dy të vërteta që janë kthyer në profeci, do të mbahen mend gjatë: kurbanët e kabinetit, dhe populli që nuk paskësh parë vertetë asgjë, akoma..
Lini një Përgjigje