Muli merr masa për mitingun antiflamingo

4 Tetor 2026, 18:38Antena TEMA

Doktori shpalli sot mitingun antiflamingo më 8 tetor. Muli e mori seriozisht situatën, duke hartuar një plan që të shmangë përplasjen direkte me flamingot dhe t’i integrojë ata brenda protestës.

Bashkë me Lelon diskutuan detajet e këtij plani.

– Objektivi i parë është të bëjmë diferencën mes një mitingu të PD-së dhe një mitingu flamingosh, – i tha Lelos. – Duhet të fokusohemi shumë te shifrat. Flamingot kanë katër muaj me nga 50 veta në shesh. Ne duhet të mbushim bulevardin. Aty kuptohet pastaj se kush e ka në dorë protestën.

Së dyti, nuk duhet t’u shpallim luftë të hapur atyre. Ata që janë gati të heqin dorë nga parulla “Rama në burg, Berisha në burg” do të pranohen. Të tjerët duhet të merren në dorëzim nga Korpusi “Azem Hajdari”.

Së treti, duhet të krijojmë aleancë me çdo flamingo që është gati ta pranojë Doktorin si udhëheqës. Nëse ndonjëri tenton të prishë mitingun, duhet të marrë përgjigjen që meriton.

Në fund, duhet të mendojmë edhe për parullat. Nuk kemi punë me Sazanin e Zvërnecin, por me skandalet e qeverisë.

– Puna është se skandalet i ka zbuluar SPAK-u, – tha Lelo. – Çfarë do të themi për SPAK-un?

– Kjo është pak e komplikuar, – tha Muli, – por teza jonë është që këta kanë bërë aq shumë zullume, sa edhe SPAK-u, që e kanë të tyrin, s’ka çfarë t’u bëjë. Ky është qëndrimi ynë.

– Kështu po, – tha Lelo. – Dakord jam.

– Po për këto skandalet seksuale do të themi gjë? – tha Lelo.

– Patjetër, – tha Muli. – Gysi në burg, Hila në burg. S’ka dallim.

Lini një Përgjigje