Debati/ Shtëpi 60 mijë euro në Tiranë? Ja çfarë thonë ndërtuesit
Programi për strehimin social të prezantuar nga qeveria ka ngjallur jo pak debat, lidhur me vlerën e banesave që janë përcaktuar, me qëllim përfitimin e kredisë me zero interes. Që një individ ë përfitojë nga kjo skemë duhet të gjejë shtëpi me vlerë 60 mijë euro. Për shumë qytetarë ky çmim duket më shumë si një slogan sesa vlerë reale e tregut.
“Po ne themi se ka banesa apo studio me vlerë 60 mijë euro në Tiranë. Sigurisht nuk janë brenda unazës por janë në periferi. Mund të jenë një numër i kufizuar, por mendoj se si një hap i parë për ti ofruar çifteve të reja strehim është një masë që vlen. Të paktën si fillim një sipërfaqe e vogël të shërbej për të patur një çati për çiftet e reja”, thotë Erjon Harizi nga shoqata e ndërtuesve
Sipas tij program i qeverisë për strehimin social është një masë e duhur. Lajm i mirë sipas tij është fakti që është zgjeruar fasha e përfituesve. Pra nuk trajtohen vetëm ata pa strehë, por edhe familjet që duan të blejnë një apartament 1+1 apo dhe 2+1
“Është pozitive që kufiri maksimal i vlerës së shtëpisë, që mund të marrë një çift ka arritur në 200 mijë euro. Deri në këtë limit ka prona, të cilat janë në treg jo vetëm nga ana e ndërtuesve por edhe për çdo individ tjetër që synon të shesë pronën e tij. Ne si ndërtuese jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë dhe të ofrojmë më shumë godina me sipërfaqe më të vogël në mënyrë që të jenë të përballueshme për shumë çifte, individ apo familje”, tha Harizi për Vizion Plus
Çmimet e pronave në vend kanë shënuar një rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke bërë që në Tiranë çmimi mesatar të arrijë në 2000 euro për metër katror.




