Në ditën e 127-të të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës në Tiranë, një prej protestuesve ka mbajtur një fjalim të fortë, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe dështime, ndërsa ka bërë thirrje për bashkim dhe ndryshim politik.
Protestuesi deklaroi se sistemi politik në vend është ‘i kalbur dhe i korruptuar’ dhe se qytetarët duhet të qëndrojnë të bashkuar për të kërkuar ndryshimin.
‘Kjo qeveri, ky sistem tashmë jo thjesht i kalbur dhe i korruptuar, rënkon nga plagët që i ka shkaktuar këtij populli, që po i kthehet në një bumerang të madh dhe se ne jemi këtu për t'i rrëzuar ata në çdo formë dhe në çdo mënyrë.
Ne kemi vuajtur shumë këto 35 vjet dhe ne kemi vuajtur më shumë se aq. Ne kemi vuajtur dhe ne kërkojmë më së shumti dinjitet dhe dinjiteti shkon njësoj me përfaqësimin. Ky parlament nuk na përfaqëson! Kjo është edhe arsyeja përse ato bashki të vogla kanë ngelur të braktisura.
Nëse do të kishte deputetë të zgjedhur nga ne dhe jo lista të kalbura dhe të korruptuara, ata deputetë do të ishin me njerëzit këtu sot dhe çdo ditë, për të mbështetur këtë frymë të madhe të njerëzve. Ky kryeministër, i cili nuk mund të mbulojë dot dështimet e veta, i cili duhet të japë llogari, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha dështimet, duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen e vendit kaq të rëndë. Duhet të mbajë përgjegjësi për korrupsionin dhe krimin e organizuar, e bërë njësh me shtetin.
Kjo protestë natyrisht mbi të gjitha tashmë duhet të shkojë tek ajo që është zgjidhja. Ne nuk mund të jemi këtu vetëm për të akuzuar, por ne duhet të jemi këtu edhe t'i tregojmë vetes, t'i tregojmë dhe atyre dhe botës se ne mund ta bëjmë dhe ne mund ta bëjmë më mirë se këta.
Dhe ne mund ta bëjmë vetëm duke shpalosur propozime dhe ide. Dhe qëndresa duhet të jetë edhe në shesh, por duhet të jetë me ide përpara parlamentit, përpara Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të marrë në shqyrtim këtë parlament i cili është jashtë orbitës së sovranit. Që jemi ne dhe sovrani sot nuk e ushtron këtë të drejtë. Prandaj është shumë e nevojshme që ne të kemi ndryshime kushtetuese, që ne të vendosim sepse ne jemi sovrani, sepse ne paguajmë pagesat e tyre.
Nuk ka asnjë dyshim që kjo protestë ja ka afruar fundin këtij kryeministri të korruptuar dhe këtij sistemi të kalbur. Ju erdhi fundi!
Ne duhet të jemi të bashkuar sepse ne jemi këtu për Shqipërinë. Nëse ka ndasi, atëherë do të thotë se ne jemi për parti politike. Por ne jemi këtu për Shqipërinë, për qëllimin e madh, për të ardhmen tonë, për fëmijët tanë, dhe për këtë secili prej nesh qëndron këtu në shesh dhe ne nuk qëndrojmë për parti politike.
Ne jemi të bashkuar këtu përtej çdo bindje, përtej çdo besimi, çdo ndarje, çdo klase shoqërore, të pasur, të varfër, me mundësi, pa mundësi. Ne jemi këtu për Shqipërinë, ne jemi për një shtet të vërtetë. Prandaj duhet të qëndrojmë të bashkuar sepse kjo është detyrë për kombin. Është detyra jonë ta çojmë në fund këtë mision që e kemi nisur së bashku... Kjo është ngjarja më e bukur që i ka ndodhur Shqipërisë. Ju jeni Shqipëria, ju jeni e bukura e këtij vendi, ju nuk përfaqësoni këta, kurrë nuk i keni përfaqësuar, dhe kurrë nuk do t'i përfaqësoni. Sepse ne jemi këtu për një qëllim shumë të bukur, përtej interesave personale, që është Shqipëria.
Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për ndryshime, është një nevojë mbarë popullore, për këtë vjen dakord të gjithë. Askush nuk është kundër kësaj, por ky shesh dhe kjo protestë ka ardhur momenti t'i tregojë se si dhe qysh do të jetë ndryshimi i nesërm. Prandaj qëndroni të bashkuar kundër këtij sistemi të korruptuar! Ju erdhi fundi!
Mos harroni kurrë, sepse kjo sakrificë sublime është bukuria dhe shpirti. Prandaj ne jemi të buzëqeshur në këtë protestë, se ne nuk jemi servilë të partive politike. Prandaj ne kemi kurajo, sepse ne luftojmë për atë që është dinjiteti, mbi të gjitha, dhe e ardhmja, dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Luftoni, qëndroni të bashkuar për Shqipërinë, për fëmijët tuaj, për veten tuaj. Zoti ju bekoftë! Ju erdhi fundi!’, tha qytetari gjatë fjalës së tij në protestë.
© SYRI.net