Gjykata e Apelit në provincën Guangdong të Kinës ka rrëzuar dënimin me vdekje për shqiptarin Klaudio Kanani, i akuzuar për trafik droge, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila e kishte dënuar me 25 vite burg.
Në një video të siguruar nga Top Channel, Kanani shfaqet për herë të parë dhe i bën apel shtetit shqiptar që ta ndihmojë për transferimin e tij në Shqipëri, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në vendin e tij.
“Mos u bëni merak, jam mirë më shëndet. Më ka marrë malli për juve. Unë këtu jam mirë por normal si në burg. Juve mos u shqetësoni për asnjë gjë sepse unë nuk është se kam probleme jam mirë”, thotë i riu me origjinë nga Tepelena.
Vendimi i Apelit erdhi pas kërkesës së prokurorisë për ta ndëshkuar me dënim kapital ndaj Kananit, i cili ishte akuzuar nga shteti komunist për trafik droge. Një zëdhënës i Gjykatës së Apelit në Guangdong i ka konfirmuar gazetarit Muhamed Veliut, se pak ditë më parë, në qendrën e paraburgimit në Guangzhou, një gjykatës i ka komunikuar Kananit vendimin e Apelit.
“Apeli ka rrëzuar kërkesa e prokurorisë për dënim kapital dhe është lënë në fuqi vendimi i Qershorit 2025 më shkallën e parë, duke e dënuar me 25 vite burg pasi ai u gjet fajtor për trafikun e 1 ton droge të nisur nga Hong Kongu”, pohoi zëdhënësi i kësaj gjykate.
Ndërkohë për dy shtetas kinezë të përfshirë në të njëjtin rast me Kananin gjykata ka vendosur ekzekutim me varje, ndërsa për dy të tjerë pushkatim përpara publikut.
Siç ka raportuar më herët Top Channel, Klaudio Kanani i shpëtoi dënimit me vdekje pas një sërë përpjekjesh diplomatike nga pala shqiptare. Në atë kohë, ministri i Jashtëm Igli Hasani zhvilloi disa takime me ambasadorin e Kinës në Tiranë për këtë çështje.
Në përpjekjet diplomatike u përfshinë gjithashtu ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Ulsi Manja, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Riza Poda.
Tashmë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, familjarët e Kananit kërkojnë një përpjekje të fundit nga ministrat Ferit Hoxha dhe Toni Gogu për të nisur procedurat për ta transferuar Klaudio Kananin nga Kina.
