Lajmi i fundit

LIVE - 127 ditë protestë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, nisin marshimin në Tiranë

VIDEO-‘Rama na la të mbijetojmë, jo të jetojmë’/ Qytetari: Ne do të flasim, nuk do të heshtim

20:29, 04/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në ditën e 127-të të protestës në Tiranë ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, një prej protestuesve ka akuzuar kryeministrin, se nevojat e qytetarëve janë përdorur për interesa politike dhe se qytetarët kanë mbetur jashtë vendimmarrjes.

‘Qeveria nuk ka qenë shërbim për njerëzit e thjeshtë. Por ka qenë vetëm pasurim, ka qenë pushtet, ka qenë ego dhe ka qenë luftë për të mbajtur të njëjtat fytyra në politikë’, u shpreh ai.

Sipas tij, pas çdo problemi, skandali apo afere, pasojat janë përballuar nga qytetarët.

‘Pas çdo pazari, kush ka paguar? Ne. Kush ka paguar çdo skandal? Çdo aferë? Çdo dështim? Ne’, deklaroi protestuesi.

‘Në Shqipëri, kurrë nuk ka qenë shërbim për njerëzit e thjeshtë. Por ka qenë vetëm pasurim, ka qenë pushtet, ka qenë ego, dhe ka qenë luftë për të mbajtur të njëjtat fytyra në politikë. Gjithë këto vite, nevojat e qytetarit kanë qenë biznes.

Dhe shërbimi ndaj qytetarit nuk ka prodhuar kurrë zgjidhjen e problemeve, por ka prodhuar vetëm vota dhe pushtet. Vota për të mbajtur në politikë të njëjtat fytyra gjithë këto vite. Dhe pas çdo problemi që ne kemi kaluar, ka qenë e njëjta klasë politike.

Ka qenë një parlament i cili ka bërë kompromis për mbajtjen gjallë të këtij sistemi. Një parlament i cili ka bërë kompromis për të instaluar një sistem korruptiv që kurrë nuk do të prodhojë programe për zhvillimin e vendit, por vetëm luftë për pushtet.

Vetëm kompromis për të mbajtur njëri-tjetrin në kurriz të shqiptarëve dhe pastaj se çfarë ndodh me fytyrat e tyre, nuk u takon atyre për të vendosur, dhe as shqiptarëve. Shqiptarëve u takon vetëm të paguajnë pasojat. Por pas çdo pazari, kush ka paguar? Ne. Kush ka paguar çdo skandal? Çdo aferë? Çdo dështim? Ne.

Çdo shqiptar që ka braktisur vendin, e ka pasur një arsye. Shkaktari nuk ka qenë kurrë mungesa e këtij vendi, sepse Shqipëria ka potencial të madh, dhe shqiptarët janë njerëz punëtorë nga e gjithë bota. Por shkaktarët kanë qenë skandalet që kjo klasë politike ka krijuar. Gjithashtu, çdo mungesë që shteti ynë ka sot, vjen si pasojë e grabitjeve që këta kanë bërë. Dhe për gjithë këto vite jemi lodhur duke pritur dritën në fund të tunelit.

Jemi lodhur duke pritur të bëhemi pjesë e Evropës. Por ajo dritë nuk ka qenë kurrë larg, thjesht këta na kanë zvarritur. Na kanë zvarritur sepse kanë dashur ta fusin Shqipërinë në Evropë pasi ata të pasuroheshin. Kanë dashur të na largonin ne drejt rrugëve të Evropës fillimisht, dhe më pas të sillnin Evropën këtu, kur vendi të ishte pronë e tyre. Për gjithë këto vite, kjo klasë politike ka jetuar si një elitë në kurrizin tonë. Janë pasuruar dhe kanë siguruar preza me radhë, dhe të gjitha këto favore i kanë bërë mbi kurrizin tonë. I kemi paguar ne me djersë dhe me sakrifica.

Po çfarë jeton shqiptari sot? Për të jetuar me familje të ndara nga emigracioni, për të paguar faturat e skandaleve që këta prodhojnë, për të punuar gjithë jetën, për të sakrifikuar gjithçka, për të jetuar në emigracion, dhe në fund të kuptojë se gjithë këto vite nuk ndërtoi një jetë, por vetëm mbijetoi. Por më e rëndësishmja, ku do të jetojmë nesër? Në një Shqipëri që do ta mbysë gjithmonë, më shumë e më shumë me skandalet e tyre.

Në një shtet ku çdo zyrtar do të jetë një kriminel. Në një vend ku çdo njeri do të vrapojë pas lekut, dhe jo pas harmonisë. Në një vend ku kultura do të zëvendësohet me denigrim moral. Ku çdo normë do të zëvendësohet me idealin për lek, për jetë luksi, dhe për famë. Aty duam të jetojmë? Aty duam të rrisim fëmijët tanë?

Duhet të shikojmë sepse nuk po na shkatërrohet vetëm shteti nga korrupsioni, por po na shkatërrohet dhe shoqëria. Po na vdes ndjesia e reagimit. Nuk po reagojmë më kundër një padrejtësie nëse nuk na prek neve personalisht. Dhe kjo është shumë e rrezikshme. Sepse kur padrejtësia ndaj tjetrit nuk të intereson, nesër kur të vijë dera jote, nuk do të jetë askush që të reagojë për ty.

Po na vdes ndërgjegjja kolektive. Po na vdes besimi te njëri-tjetri. Po na vdes solidariteti. Po na vdes drejtësia si parim, si ndjesi njerëzore, si refleks që duhet ta kemi kur shohim diçka të padrejtë. Ne si shoqëri nuk po bashkëjetojmë më me njëri-tjetrin në harmoni, por secili në hesap të vet, secili për vete, secili duke u përpjekur të mbijetojë në një vend i cili është në rënie të lirë.

Prandaj është shumë e rëndësishme që ne si shoqëri, të mos shohim më drejt emigrimit në Evropë, sa herë që duam të jetojmë me dinjitet. Por duhet të përpiqemi të sjellim dinjitetin e Evropës në vendin tonë. Dhe në qoftë se s'paskemi fajtorë, po na vdes shpresa për ta bërë këtë vend më të mirë, atëherë të paktën të mos harrojmë çdo skandal që kemi kaluar.

Dhe të mos lejojmë që të ndodhë përsëri. Sepse një shoqëri që harron, një ditë do t'i vdesë shpresa. Dhe nëse ne nuk reagojmë sot, nesër do të na pyesin: 'Po ky, po ju ku ishit?'. Ne ishim këtu. E pamë, heshtëm dhe e paguam. Kjo është pikërisht arsyeja pse jemi këtu. Ky është qëllimi më i rëndësishëm i kësaj proteste.

Që shqiptarët t'i bëjë bashkë kjo dhimbja, kjo problematika që ndajnë njësoj. E nëse ata nesër duan që ne të heshtim, ne do të flasim. Nëse ata duan që ne të harrojmë, ne do të kujtojmë. Dhe nëse një ditë do të mendojnë se Shqipëria është pronë e tyre, ne do t'ju kujtojmë se Shqipëria është e shqiptarëve.’, tha qytetari gjatë fjalës së tij në protestë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco