Në ditën e 127-të të protestës në Tiranë kundër qeverisë së Edi Ramës, pedagogu i Universitetit të Arteve, Pëllumb Vorpsi, ka bërë thirrje për përfshirjen e studentëve dhe pedagogëve në protestë, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike.
Në fjalën e tij para protestuesve, Vorpsi tha se studentët shqiptarë janë përballur me probleme të shumta në arsim dhe se një pjesë e tyre janë detyruar të largohen nga vendi.
‘Studentët tanë kanë dhënë një shembull të shkëlqyer në 2019 me protestat e fuqishme. Ato kanë qenë në fakt shkëndija e parë e kësaj që po ndodh edhe sot’, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, pedagogu foli edhe për transformimin urban të Tiranës, duke kritikuar mënyrën se si është zhvilluar qyteti.
Sipas Vorpsit, dy kërkesat kryesore janë dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike.
‘Të dashur, të dashur patriotë, jemi mbledhur 120 ditë këtu për të shpëtuar vendin tonë nga një, një moment ndoshta katastrofe para së cilës ai ndodhet. Po, në radhë të parë i uroj mirëseardhjen studentëve, si pedagog që jam dhe unë në Universitetin e Arteve.
Studentët tanë kanë dhënë një shembull të shkëlqyer në 2019 me protestat e fuqishme. Ato kanë qenë në fakt shkëndija e parë e kësaj që po ndodh edhe sot. I ftoj të gjithë studentët, po edhe pedagogët, të mbështesin fuqimisht këtë protestë, sepse arsimi ka qenë një nga plagët më të rënda të kësaj periudhe.
Studentët tanë janë detyruar të marrin rrugën e emigracionit dhe kudo që kanë shkuar, kanë shkëlqyer, sepse ne jemi popull i mençur, i dashur dhe nuk e meritojnë studentët këtë nivel kaq të ulët që ka arsimi, që është pjesë e krizës së përgjithshme që ka vendi. Prandaj ftoj që të gjithë që të vijnë këtu dhe të bashkohen me ne.
Gjithashtu, i bëj thirrje tiranasve autoktonë, një prej të cilëve jam dhe unë. Ato kanë arsye më shumë se kushdo që mos t'i ndahen këtij sheshi. Popullsia tiranase ka qenë gjithnjë në ballë të çështjeve kombëtare, historikisht. Popullsia autoktone ka qenë ajo mikpritësja dhe bujarja që në kohët më të vështira gjithnjë ka hapur dyert e shtëpive dhe zemrat.
Por, nga ana tjetër, Tirana jonë, e dikurshme e para 100 viteve, ka qenë një parajsë tokësore, siç ka thënë Edit Durhami kur ka kaluar nëpër këtë vend. Një qytet ku nuk ka ekzistuar folja me vjedh! Nga ana tjetër, ky qytet është shkatërruar duke u ndërtuar.
Ato vilat e bukura dhe kopshtet që ka pasur Tirana u shkatërruan, me ndërtesa ku pastrohet, siç e dini të gjithë, lekët e drogës. Unë jam ftuar sot këtu për t'ju paraqitur një portal shumë të rëndësishëm. Diaspora, në bashkëpunim me lëvizjen Lidhja e Re e Prizrenit, dhe me intelektualë të pavarur të rregullt në këtë protestë, kemi përgatitur një portal që quhet portali Tranzitor Jo-Politik. Bordi Tranzitor Jo-Politik. Këtu bëhet fjalë për të realizuar pikërisht ato pika të rëndësishme që i ka tashmë përforcuar e gjithë protesta.
Që janë pika të panegociueshme dhe që duhet të realizohen. Siç është dorëheqja pa asnjë kusht e kryeministrit dhe e qeverisë. Dhe pika e dytë, shumë e rëndësishme, është krijimi i një qeverie teknike. Kjo qeveri teknike duhet të jetë ashtu siç e do populli.
Ato nuk e duan më politikën e kaluar. Ajo duhet të jetë jo-politike, do të dalë nga sovrani që është këtu në shesh. Dhe ky portal që ne paraqesim, i jep mundësinë të gjithë intelektualëve, profesionistëve, edhe qytetarëve patjetër, po veçanërisht intelektualëve të sferave të ndryshme, të shkencës, kulturës, pedagogëve, të administratës, të shoqërisë civile, që të kontribuojnë duke u prezantuar në këtë portal.
Portali është i një niveli të lartë sigurie, asnjë e dhënë individuale nuk keqpërdoret. Ajo do të jetë baza mbi të cilën do të krijohet qeveria e ardhshme teknike, e cila ka për qëllim që të bëjë kalimin paqësor brenda të gjitha kërkesave që ka protesta, që më në fund në Shqipëri të rikthehet edhe një herë shteti i së drejtës, të rivendoset demokracia e vërtetë, e cila është kaq e shtypur, e komprometuar.
Ndërkohë, ne i bëjmë thirrje dhe ndërkombëtarëve, që të mos rrinë pasivë. Ato duhet të mbajnë qëndrime dhe jo të mbështesin një qeveri që tashmë është e përfunduar. I bëj thirrjen e fundit, ia bëj kryeministrit, i cili më njeh shumë mirë dhe e njoh shumë mirë: Dorëheqja është minimumi i asaj që mund të bësh!
Se dorëheqja në mënyrë paqësore, ndoshta nuk është ajo që meritoni ju si qeverisje, po e meritojmë ne si popull. Faleminderit!’, tha pedagogu Pëllumb Vorpsi në fjalën e tij.
© SYRI.net