Hamza: Optimist se Ligji për Specialen do të votohet, PDK e hapur për çështjen e presidentit

4 Tetor 2026 | 21:23

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar se të hënën në seancën e Kuvendit të Kosovës pritet të procedohet projektligji për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Hamza ka theksuar se është optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët.  

Ndër të tjera ai ka folur edhe për çështjen e presidentit. Sipas tij ata nuk kanë kërkuar të jenë pjesë e Qeverisë, por nuk janë të mbyllur për t’i dhënë vendit president.  

“Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë të jemi pjesë e qeverisë por nuk jemi të mbyllur dhe përjashtues për t’i dhënë vendit president. Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët, edhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji”, deklaroi Hamza.

Ai e cilësoi projektligjin si të rëndësishëm për procesin e drejtësisë, duke theksuar se qëndrimi i tij dhe i PDK-së nuk është kundër drejtësisë, por kundër asaj që ai e konsideron padrejtësi në proceset e Dhomave të Specializuara.

“Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendosë drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, tha ai.

Sipas Hamzës, në procesin e deritanishëm ka pasur, siç u shpreh ai, mungesë transparence, llogaridhënieje dhe mbikëqyrjeje. Ai kritikoi gjithashtu vendimin që, sipas tij, prek historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“Kemi parë mungesë transparence, mungesë llogaridhënie, mungesë mbikëqyrje, dhe kemi një vendim të padrejtë. Një vendim ku gjykohet historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës”, deklaroi Hamza.

Hamza tha se synimi është që procesi i apelimit të zhvillohet brenda Dhomave të Specializuara dhe që vendimet të bazohen në prova dhe fakte.

“Ne po duam me vazhdu me besu në drejtësi. Dhe për këtë qëllim, Apeli do të fillohet brenda Dhomave të Specializuara, në kuadër të Dhomave të Specializuara, dhe ne presim që të ketë një vendim të drejtë, bazuar në fakte, në prova, jo thashetheme”, tha ai.

Duke folur për akuzën e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, Hamza tha se, sipas tij, personat e përfshirë nuk duhet të gjykohen për krime që nuk janë provuar.

“Nuk mundet dhe nuk qëndron ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale’, ata njerëz janë të pafajshëm. Nuk munden të gjykohen njerëzit për krime që s’i kanë bërë. Krimet duhet të faktohen”, u shpreh ai.

Kryetari i PDK-së theksoi se nuk kundërshton të drejtën e viktimave për drejtësi dhe hetimin e krimeve, por kërkoi që përgjegjësia penale të mbështetet në prova.

“Nuk jemi kundër asaj na që viktimat kërkojnë të drejtën e tyre. Nuk jemi kundër asaj na që krimet të hulumtohen, të faktohen, të provohen deri në fund. Deri në fund”, tha Hamza.

Në fund, ai theksoi se iniciativa nuk synon shpërbërjen e Dhomave të Specializuara, por vendosjen e mekanizmave që, sipas tij, do ta rikthenin procesin brenda kornizave juridike dhe ligjore.

 “Ne nuk po e shpërbëjmë Gjykatën apo Dhomat e Specializuara, por po vendosim mekanizma, po e vendosim, po e kthejmë brenda normave juridike dhe ligjore”, deklaroi Hamza.

Ai shprehu bindjen se projektligji do të marrë mbështetjen e deputetëve dhe se procedurat e tij do të përfundojnë brenda Kuvendit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Jo në emrin tim”, protestë nesër para Kuvendit të Kosovës

Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar në natën e 19-të të protestës se protestuesit do...
21:05 | 04/10/2026

​”Jo në emrin tim”, protestë në Berlin kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Emigrantë shqiptarë nga pjesë të ndryshme të Gjermanisë u mblodhën këtë të diele para Parlamentit gjerman në Berlin, për të mbajtur protestën me thirrjen “Jo...
16:52 | 04/10/2026

LVV kërkon nesër seancë plenare, në rend dite shqyrtimi i ligjit për Specialen

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar këtë të diele një kërkesë për mbajtjen e një seance të Kuvendit të Kosovës të hënën në orën...
15:28 | 04/10/2026