Sot nis viti i ri akademik, Presidenti Begaj uron studentët: Universitetet formojnë profesionistët dhe qytetarët që ndërtojnë të ardhmen e vendit
Presidenti Bajram Begaj ka uruar studentët dhe pedagogët me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, duke e cilësuar atë si një udhëtim të ri përkushtimi dhe sfidash.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Begaj thekson se roli i universiteteve shkon përtej përgatitjes profesionale, pasi ato kontribuojnë edhe në formimin e qytetarëve të angazhuar.
“Universitetet janë vatrat ku formohen jo vetëm profesionistët e aftë të së nesërmes, por, mbi të gjitha, qytetarët e angazhuar që do të ndërtojnë të ardhmen e vendit”, shkruan ai.
Kreu i shtetit u ka uruar studentëve të kenë kurajë për të ëndërruar, disiplinë për të punuar fort dhe besim për të arritur suksesin.
Mesazhin e tij, Begaj e mbyll me urimin për një vit të mbarë akademik, të mbushur me mundësi të reja për të gjithë studentët dhe pedagogët.




