SHBA raporton rastin e dyshuar të murtajës në Rusi

5 Tetor 2026 | 09:19

Shtetet e Bashkuara po përcjellin raportimet për një rast të dyshuar të murtajës pneumonike në Rusi, pasi një punonjëse 28-vjeçare laboratori vdiq në rajonin siberian të Irkutskut.

Rasti nxiti disa politikanë amerikanë të kërkojnë kufizime të gjera të udhëtimit nga dhe drejt Rusisë.

“Jemi në dijeni të raportimeve për një rast të dyshuar të murtajës pneumonike me pasojë vdekjen në rajonin e Irkutskut, në Rusi”, tha më 4 tetor një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

“Po e ndjekim nga afër situatën, në koordinim me Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe agjencitë e tjera partnere”, tha ai.

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve ruse që “të ndajnë informacione të sakta, shpejt dhe në mënyrë transparente”.

Ai theksoi se murtaja mund të trajtohet me antibiotikë që janë gjerësisht të disponueshëm, veçanërisht nëse trajtimi nis herët.

Edhe një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore konfirmoi se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po bashkëpunojnë me Departamentin e Shtetit.

Sipas tij, siguria e qytetarëve amerikanë mbetet “prioriteti më i lartë” i departamentit.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi, po ashtu, se po ndjek zhvillimet dhe masat e karantinës të ndërmarra nga Rusia.

Zyrtarë të lartë të administratës u thanë gazetarëve se Qeveria është në dijeni të raportimeve dhe se po shqyrton mënyrat e mundshme të reagimit.

Aktualisht nuk ka fluturime të drejtpërdrejta komerciale mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, ndërsa Uashingtoni nuk ka njoftuar masa shtesë për kufizimin e udhëtimeve për shkak të rastit të dyshuar.

Shqetësimet rriten

Raportimet kanë nxitur shqetësime te disa ligjvënës, përfshirë edhe për shkak të historisë së Rusisë me kërkimet për armë biologjike.

Kongresisti republikan nga Nebraska, Don Bacon, anëtar i lartë i Komisionit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, i ndërlidhi raportimet me pretendimet e kahershme të Rusisë se laboratorët në Ukrainë, të mbështetur nga SHBA-ja, ishin të përfshirë në kërkime për armë biologjike.

“Mbaj mend se dëgjoja nga zërat kundër Ukrainës për të ashtuquajturit laboratorë biologjikë. Ishin operacione dezinformuese ruse në formën e tyre më të mirë. Por, në të vërtetë, është Rusia ajo që ka laboratorë biologjikë”, shkroi Bacon në rrjetet sociale.

Rusia ka akuzuar prej kohësh Uashingtonin dhe Kievin se udhëheqin objekte për zhvillimin e armëve biologjike në Ukrainë.

Të dyja qeveritë i kanë hedhur poshtë këto pretendime dhe hetimet e pavarura nuk kanë gjetur prova që i mbështesin ato.

Bashkimi Sovjetik, megjithatë, kishte një program të gjerë ofensiv të armëve biologjike gjatë Luftës së Ftohtë, pavarësisht se ishte palë e Konventës së vitit 1972 për Armët Biologjike.

Dëshmitë e personave që u larguan nga Bashkimi Sovjetik dhe hetimet e mëvonshme dokumentuan kërkime ushtarake me patogjenë, përfshirë bakterin e murtajës, si dhe përpjekje për zhvillimin e varianteve rezistente ndaj antibiotikëve.

Kjo histori është bërë edhe pjesë e debatit politik rreth rastit në Irkutsk.

Megjithatë, nuk ka prova publike se laboratori i përfshirë në incidentin aktual po zhvillonte murtajën si armë, apo se vdekja e punonjësit kishte lidhje me ndonjë program ofensiv të armëve biologjike.

Çfarë ndodhi në Irkutsk?

Në qendër të rastit është Darya Shipilova, një teknike laboratori 28-vjeçare në Institutin Kundër Murtajës në Irkutsk.

Mediumi i pavarur siberian “Lyudi Baikala” raportoi se Shipilova kishte thyer aksidentalisht një epruvetë që përmbante bakterin e murtajës pneumonike, më 25 shtator, derisa po punonte në institut.

Sipas raportimit, gjendja e saj shëndetësore më pas u përkeqësua dhe ajo vdiq më 2 tetor.

Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar publikisht këtë version të ngjarjes.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio në Athinë, në fokus mbrojtja dhe marrëdhëniet Greqi-SHBA

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, po zhvillon një vizitë në Athinë, ku në qendër të diskutimeve janë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe...
09:05 | 05/10/2026

Irani paralajmëron sulme ndaj bazave dhe anijeve amerikane

Një komandant i lartë i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka paralajmëruar se Irani do të synojë bazat ushtarake dhe anijet amerikane nëse Shtetet...
08:35 | 05/10/2026

SHBA godasin anije të dyshuar për trafik droge

Ushtria amerikane ka kryer një sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Karaibe, duke vrarë katër persona, njoftoi të dielën Komanda Jugore...
07:26 | 05/10/2026