Hallet e popullit “shkojnë” në Kuvend, deputetët do të diskutojnë sot në seancë plenare
Kuvendi do të mblidhet pasditen e kësaj të hëne në seancë plenare.
Seanca është parashikuar që të mbahet në orën 15:00, ku në rendin e ditës është parashikuar diskutime për çështjet e evidentuara nga zgjedhësit.
Sipas rendit të ditës, deputetët do të diskutojnë për rreth 4 orë, kohë kjo e ndarë mes mazhorancës dhe opozitës.
Kohën më të madhe të diskutimit do e ketë Partia Socialiste me 140 minuta, e ndjekur më pas nga Partia Demokratike me 60 minuta.
Me nga 12 minuta në dispozicion për diskutim do të kenë edhe grupet parlamentare të “Aleanca pr Ndryshim” dhe “Partia e Lirisë”.
Për deputetët jashtë grupeve parlamentare, koha për të diskutuar do të jetë 16 minuta.

Seanca plenare mbahet në një moment kur klima politike vijon të jetë e nxehtë, pas masës së “arrestit në shtëpi” që GJKKO dha për drejtuesen e SHISH Vlora Hyseni. Opozita ka vijuar akuzat në drejtim të qeverisë.
Nga ana tjetër, mazhoranca ka vijuar “mbrojtjen” e saj për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit dhe aspiratat për integrimin e vendit në BE.
Një tjetër “pikë e nxehtë” në diskutimin politik, janë edhe propozimet e fundit për ndryshimet në Kodin Penal, të cilat pritet që të diskutohen edhe në seancën e kësaj të hëne.




