Gjirokastra pret studentët e rinj, rritet interesi për universitetin dhe programet profesionale

05/10/2026 10:20

Rreth 500 studentë të rinj nisin këtë vit studimet në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, duke shënuar rritje të interesit për institucionin e arsimit të lartë në jug të vendit.

Interesi më i madh i maturantëve është për Infermierinë, Ekonomikun dhe programet profesionale dyvjeçare, ndërsa një rritje të interesit ka edhe për disa prej programeve të teknologjisë dhe shkencave.

Ndryshe paraqitet situata në degët e mësuesisë, të cilat vijojnë të jenë më pak të preferuarat nga të rinjtë. Megjithatë, pavarësisht numrit më të ulët të regjistrimeve në disa prej këtyre programeve, këtë vit asnjë degë nuk rrezikon mbylljen.

Sipas rektorit, rritja e numrit të studentëve është veçanërisht e rëndësishme për një universitet rajonal, në një kohë kur numri i maturantëve në vend vijon të jetë në rënie. Në raundin e parë të regjistrimeve, universiteti kishte rreth 300 studentë, rreth 50 më shumë se në të njëjtën fazë të vitit të kaluar.

Ndërsa pas përfundimit të procesit, shifra e studentëve të rinj arrin në rreth 500.Universiteti “Eqrem Çabej” ofron programe studimi në fushat e shkencave shoqërore, natyrore dhe edukimit, ndërsa sfida kryesore mbetet rikthimi i interesit të të rinjve për profesionin e mësuesit. Ndërsa do të hapen dyert edhe për të gjithë  të huajt të cilët përveç se punojnë në Shqipëri do të kenë mundësi dhe të studiojnë, interesi ka qenë i lartë nga shtetasit e vendeve të treta!

Top Channel