Bota Lifestyle Travel

Kur arkitektura bëhet arsye për të udhëtuar!

Për të njohur një qytet nuk mjafton gjithmonë të hysh në muzetë e tij. Historia mund të lexohet edhe duke ecur nëpër rrugë: në fasada, sheshe, stacione, ura apo lagje të tëra.

Arkitektura është bërë kështu pjesë e rëndësishme e përvojës së udhëtimit, deri në pikën që ndërtesa të veçanta mund të jenë vetë arsyeja për të zgjedhur një destinacion.

Përmasat e kësaj trashëgimie janë të mëdha.

UNESCO numëron mbi 300 qytete të Trashëgimisë Botërore në 101 shtete, ndërsa më shumë se 70% e vendeve kulturore të Trashëgimisë Botërore ndodhen në zona urbane.

Roma është shembulli klasik. Qyteti ka mbi 28 shekuj histori të pandërprerë dhe arkitektura e tij bashkon Koloseun dhe Panteonin e antikitetit me kishat baroke të Gian Lorenzo Berninit e Francesco Borrominit dhe arkitekturën bashkëkohore.

ArchDaily e përshkruan Romën si një qytet ku shtresat e më shumë se tre mijë viteve mbivendosen mbi njëra-tjetrën.

Në Barcelonë, arkitektura ka përcaktuar identitetin turistik të qytetit.

Plani i Ildefons Cerdà krijoi rrjetin karakteristik të Eixample, ndërsa Antoni Gaudí la Casa Batlló, La Pedrera, Park Güell dhe Sagrada Família.

Shekulli XX solli Pavijonin e Barcelonës të Ludwig Mies van der Rohe, ndërsa ndërhyrjet për Lojërat Olimpike të vitit 1992 transformuan bregdetin e qytetit.

Edhe Stambolli mund të vizitohet si një histori arkitekture.

Ai shërbeu si kryeqytet perandorak për mbi 1,600 vjet. Hagia Sophia, Xhamia Blu dhe Pallati Topkapı tregojnë kalimin nga Kostandinopoja bizantine te kryeqyteti osman, ndërsa ndërtesat e reja tregojnë metropolin e sotëm që shtrihet mes Europës dhe Azisë.

ArchDaily përfshin në guidat e veta arkitekturore edhe Amsterdamin, Londrën, Parisin, Milanon, Kajron, Bangkokun dhe Santiago de Chile, duke e trajtuar arkitekturën si një mënyrë për të kuptuar historinë sociale dhe kulturore të destinacionit.

Por popullariteti ka edhe një kosto

UNESCO raporton se 55% e qyteteve të Trashëgimisë Botërore ose 175 qytete kanë kaluar në procesin e “Reactive Monitoring”, që përdoret kur evidentohen kërcënime të mundshme ndaj vlerave të tyre.

Faktorët që lidhen me ndërtimin dhe zhvillimin shfaqen në gati gjysmën e pronave që kanë kaluar këtë monitorim.

Kjo është arsyeja pse udhëtimi për arkitekturën nuk lidhet vetëm me fotografimin e një ndërtese të famshme. Eshtë edhe një mënyrë për të kuptuar se si një qytet ka ndryshuar dhe si përpiqet të ruajë identitetin ndërsa vazhdon të zhvillohet. /Monitor

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.