Bota

Alarm për murtajën në Rusi!

Një hartë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregon përhapjen e rasteve të murtajës në botë gjatë viteve të fundit, ndërsa në Rusi është raportuar vdekja e një punonjëseje të një instituti kërkimor që studion këtë sëmundje.

Mediat ruse raportojnë se një grua që punonte në një institut kërkimor pranë Irkutskut, në Siberi, u kishte thënë kolegëve se kishte thyer aksidentalisht një epruvetë me baktere të gjalla gjatë marrjes së mostrave për analiza.

Ajo u shtrua më pas në spital dhe ndërroi jetë. Megjithatë, autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se shkaku i vdekjes ishte murtaja.

Sipas raportimeve, bëhej fjalë për formën pneumonike ose pulmonare, të murtajës. OBSH e konsideron atë formën më të rëndë të sëmundjes, e cila mund të transmetohet nga një person te tjetri përmes grimcave respiratore.

Rreth 4 mijë raste të dyshuara

Sipas OBSH-së, ekzistojnë tri forma kryesore klinike të murtajës: bubonike, pneumonike dhe septikemike.

Murtaja, si sëmundje që qarkullon te kafshët, gjendet në të gjitha kontinentet, me përjashtim të Oqeanisë. Rreziku ekziston në zonat ku bakteri Yersinia pestis është i pranishëm dhe mund të bjerë në kontakt me popullsinë.

OBSH ka evidentuar vendet me raste të dyshuara ose të konfirmuara të sëmundjes gjatë periudhës 2019-2025. Në total janë regjistruar rreth 4 mijë raste të dyshuara. Epidemitë e murtajës janë shfaqur në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut.

Që nga vitet 1990, pjesa më e madhe e rasteve te njerëzit është raportuar në Afrikë, veçanërisht në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Madagaskar. Edhe Rusia figuron në hartën e OBSH-së për vendet ku është zbuluar sëmundja.

Çfarë dihet për rastin në Rusi

Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar publikisht se gruaja ndërroi jetë nga murtaja, por rasti është raportuar si nga media të lidhura me shtetin, ashtu edhe nga burime të pavarura.

Gruaja u shtrua në spital të martën me simptoma të pneumonisë së rëndë në Shelekhov, pranë Irkutskut. Ajo u vendos në ventilim mekanik dhe ndërroi jetë dy ditë më vonë, sipas medias së pavarur ruse People of Baikal, e cila e identifikoi si Daria Shipilova, 28 vjeç.

Kanali Telegram Mash raportoi se simptomat ishin shfaqur pas kthimit të saj nga një udhëtim pune në Republikën ruse të Buryatia-s dhe se sëmundja ishte regjistruar pranë kufirit me Mongolinë.

Megjithatë, kreu i Buryatia-s, Alexei Tsydenov, mohoi që ajo ta kishte vizituar republikën. Ai deklaroi se gruaja ka të ngjarë të ketë vdekur nga murtaja, por se në Buryatia nuk ka shpërthim të sëmundjes, përfshirë zonat pranë Mongolisë.

Të paktën 197 persona që mund të kenë pasur kontakt me të janë vendosur në izolim mjekësor, më shumë se 100 prej tyre në spitale, sipas televizionit REN TV.

People of Baikal raportoi gjithashtu se të paktën katër spitale në Irkutsk janë vendosur në karantinë për tri javë dhe vizitat e pacientëve janë ndaluar.

Ndërkohë, Rospotrebnadzor, autoriteti rus përgjegjës për mbrojtjen e shëndetit publik, deklaroi se në institut nuk kishte pasur incidente që përfshinin mikroorganizma patogjenë.

Autoritetet kanë anuluar disa aktivitete publike në Irkutsk, ndërsa policia ka nisur një hetim penal për shkelje të mundshme të rregullave të sigurisë shëndetësore. Fabrika e Aluminit në Irkutsk, e vendosur në Shelekhov, ka vendosur gjithashtu detyrimin për mbajtjen e maskave.

Rospotrebnadzor ka deklaruar se po zbatohen “masat e nevojshme kundër epidemisë”, pa iu referuar drejtpërdrejt murtajës. /Monitor

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.