Alban Bushi veçon 2 lojtarë të U-21: Janë e ardhmja e futbollit shqiptar
Kombëtarja shqiptare U-21 vijon përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Ukrainës, që do të zhvillohet sot në stadiumin “Szentmarjay Tibor Városi Stadion”, në Eger të Hungarisë, me fillim nga ora 15:30.
Në prag të kësaj sfide, trajneri Alban Bushi ka folur për grupin e lojtarëve të grumbulluar, duke vënë në pah moshën e re të skuadrës dhe disa prej talenteve që kanë bërë përshtypje gjatë seancave stërvitore.
Bushi veçoi në mënyrë të veçantë Kullën, i datëlindjes 2008, dhe Huqin, i vitit 2007, të cilët sipas tij kanë treguar cilësi dhe potencial për të ardhmen e futbollit shqiptar.
“Kishim shumë lojtarë të rinj dhe me moshë të vogël. Dy prej tyre dua t’i cilësoj si e ardhmja e futbollit shqiptar, Kulla dhe Huqi, sepse më kanë surprizuar në stërvitje”, u shpreh Bushi.
Trajneri kuqezi bëri të ditur gjithashtu se të dy talentet pritet të kenë hapësirën e tyre ndaj Ukrainës. Njëri prej tyre do ta nisë takimin nga minuta e parë, ndërsa tjetri mund të aktivizohet gjatë pjesës së dytë.
Sfida ndaj Ukrainës do t’i shërbejë Shqipërisë U-21 për të testuar elementët e rinj dhe për t’u dhënë minuta lojtarëve që synojnë të bëhen pjesë e rëndësishme e ekipit në të ardhmen.




