Bota

Amerika tërheq bombarduesit nga RAF Fairford pas dyshimeve për terrorizëm!

Shtetet e Bashkuara tërhoqën të gjithë bombarduesit e tyre nga baza ushtarake RAF Fairford në Britani, tani në qendër të një hetimi nga policia kundër terrorizmit pas një incidenti të dyshimtë.

Një zyrtar i Pentagonit konfirmoi se bombarduesit amerikanë B-1 u larguan nga baza dhe u kthyen në stacionet e tyre në SHBA. Uashingtoni nuk dha arsye zyrtare për tërheqjen.

Vendimi vjen pak ditë pas incidentit të 27 shtatorit, kur policia u njoftua për tre automjete të dyshimta pranë bazës. Pesë persona, të gjithë shtetas britanikë nga Londra dhe të moshave 23 deri në 25 vjeç, u arrestuan fillimisht nën dyshimin për vepra që lidhen me eksplozivët dhe më pas për përgatitjen e një akti terrorist. Të pestë u lanë të lirë me kusht.

Një 25-vjeçar me shtetësi britanike dhe iraniane u arrestua më vonë në Londër, nën dyshimin për përgatitjen e akteve terroriste. Edhe ai u lirua me kusht.

Sipas BBC-së, bëhet fjalë për një vendim ushtarak dhe operacional, jo politik, i cili iu komunikua autoriteteve britanike nga ushtria amerikane. Ministria britanike e Mbrojtjes nuk ka komentuar.

RAF Fairford është përdorur prej dekadash nga Forcat Ajrore të SHBA-së, si bazë e avancuar operacionale. Në muajt e fundit, prej saj janë nisur bombardues B-1 dhe B-52 drejt Lindjes së Mesme, pasi Britania e Madhe miratoi kërkesën amerikane për përdorimin e bazës në kuadër të goditjeve mbrojtëse ndaj Iranit.

Në korrik, Irani paralajmëroi se çdo bazë e përdorur për agresion ndaj territorit iranian do të konsiderohej objektiv legjitim për forcat e tij.

Disa ditë pas incidentit, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se ngjarja “qartësisht përfshinte dorën e një aktori të huaj”, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Presidenti Donald Trump deklaroi se “u befasua” që pesë të dyshuarit u liruan me kusht, duke theksuar se SHBA-të dinin gjithçka për ta.

Bombarduesit B-1 të dislokuar në Britani ishin të pajisur me bomba precize, të afta për të depërtuar në struktura të fortifikuara apo të nëndheshme, si dhe me raketa ajër-tokë për goditjen e objektivave të mbrojtura thellë në territorin iranian.

Pentagoni ka theksuar se avionët bombardues amerikanë mbeten të aftë të kryejnë misione “kudo dhe në çdo kohë”, përfshirë operacionet që nisen dhe përfundojnë nga bazat në territorin kontinental të SHBA-ve.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.