Tensionet janë rritur sot pranë Kuvendit të Kosovës, ku qytetarë janë mbledhur në protestë për të kërkuar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Situata është përshkallëzuar në disa momente, me përplasje mes protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në zonën pranë Kuvendit është parë gjithashtu një kamion, i vendosur në rrugë nga protestuesit për të penguar lëvizjen.
Një prej pjesëmarrësve në protestë e cilësoi situatën me policinë si një keqkuptim, ndërsa shpjegoi edhe arsyen e vendosjes së kamionit.
“Na jemi dalë punën tonë, policia të veten. Patëm keqkuptim me policinë. Arsyeja e vendosjes së kombit është që mos t’i lejojë deputetët me dalë nëse nuk votohet ligji për Specialen”, deklaroi ai.
Protestuesit kërkojnë që Kuvendi të miratojë ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara. Protesta ka sjellë vështirësi në hyrjen dhe qarkullimin përreth objektit të Kuvendit.
Ndërkohë, një zhvillim i rëndësishëm kishte ndodhur më herët gjatë ditës. Komisioni për Legjislacion miratoi projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nëntë deputetët e pranishëm votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Projektligji tashmë pritet të shqyrtohet nga Kuvendi, ku seanca ka nisur në orën 09:00.
Mes tensioneve, një tjetër moment ka tërhequr vëmendjen. Në pamjet nga protesta shihet një pjesëtar i Policisë së Kosovës me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në uniformë, ndërsa në disa momente është vërejtur edhe bashkëpunim mes protestuesve dhe policisë.














