Një incident është raportuar mesditën e së dielës në një pallat në zonën në fund të ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë, ku një shpërthim në kabinën elektrike ka shkaktuar flakë, tym dhe dëme në disa ambiente të objektit.
Sipas denoncimit të një prej banoreve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, pas një ndërhyrjeje në kabinën elektrike, për të cilën ajo pretendon se është kryer nga persona të paautorizuar ose jo kompetentë për të ndërhyrë në këtë ambient.
Banorja thotë se pas shpërthimit flakët dhe tymi janë përhapur në të gjithë pallatin, duke shkaktuar panik te banorët, mes tyre edhe fëmijë. “Momentet e tmerrit kanë qenë prezente duke qenë se në pallat ka pasur edhe fëmijë”, shprehet ajo.
Sipas saj, dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në dy katet e para, si edhe në katin e pestë. Ndërkohë, banorët nuk kanë ende informacion të plotë mbi dëmet që mund të jenë shkaktuar në instalimet elektrike të apartamenteve.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës. Banorja pretendon se zjarrfikësit kanë mbërritur rreth 25 minuta pas njoftimit dhe se evakuimi i banorëve është vështirësuar për shkak të mungesës së shkallëve.
Banorët ngrenë gjithashtu pikëpyetje mbi statusin e objektit. Sipas denoncimit, pallati është ndërtuar nga firma “Alesio” dhe është i banuar prej rreth dy vitesh e gjysmë, ndërsa procesi i kolaudimit dhe hipotekimit, sipas banorëve, ende nuk ka përfunduar.
Banorja thotë se kompania ua ka atribuar vonesat procedurave pranë Bashkisë së Tiranës, por shprehet se nuk është bindur nga ky shpjegim.
Pas incidentit, sipas denoncimit, kompania ka marrë përsipër rikonstruksionin e dëmeve, pasi të sigurohet raporti i OSHEE-së. Megjithatë, banorja pretendon se deri më tani në pallat nuk është paraqitur asnjë punonjës i Operatorit të Shërbimit të Energjisë Elektrike.
Shqetësime janë ngritur edhe për kamerat e sigurisë të vendosura nga vetë banorët në objekt. Sipas denoncimit, pamjet nuk janë sekuestruar ende nga policia, ndërsa banorët kërkojnë që ato të merren në konsideratë gjatë hetimit për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Pas ndërhyrjes në kabinën elektrike, banorët raportojnë se prej ditës së djeshme pallati ka mbetur pa energji elektrike dhe pa ujë të pijshëm, duke detyruar disa prej tyre të largohen përkohësisht nga banesat.
Dëmet, sipas banorëve, janë të dukshme edhe brenda apartamenteve, ku raportohet për mbetje tymi dhe mure të nxira. /Balkanweb/













