Andres Iniesta vijon të shprehë admirim për Barcelonën e Hansi Flickut dhe mënyrën se si po paraqitet skuadra katalanase.
Të lidhura
None found
Ish-legjenda e klubit ka vlerësuar filozofinë e lojës së Barcelonës, ndërsa ka veçuar talentin e Lamine Yamalit dhe rëndësinë që Rodri mund të ketë pas transferimit te gjiganti spanjoll.
Duke folur për “Mundo Deportivo”, Iniesta tha se vazhdon ta ndjekë me kënaqësi Barcelonën dhe Kombëtaren e Spanjës, veçanërisht për shkak të cilësive dhe zgjuarsisë së futbollistëve të rinj.
“Më pëlqen ta shikoj Barçën dhe më pëlqen ta shikoj Spanjën. Njësoj si më parë, kur luaja unë”.
“Janë skuadra me atë lloj stili loje dhe me lojtarë që, natyrisht, më pëlqejnë”.
“Mënyra se si luajnë dhe, mbi të gjitha, talenti i tyre dhe mënyra se si e kuptojnë lojën. Po flasim për më të mirët”.
Një vëmendje të veçantë në intervistë mori edhe Lamine Yamali. Sipas Iniestës, ajo që 19-vjeçari ka arritur deri në këtë pikë është jashtë normales.
“Nuk është normale, sepse nëse do të ishte, do të kishte më shumë lojtarë që mund të bënin të njëjtën gjë”.
“Nuk është normale dhe bukuria dhe rëndësia e gjithë kësaj qëndron te ambicia e tij, talenti i natyrshëm dhe fakti se, nëse ndalesh e mendon, ajo që e pret përpara në atë moshë është diçka e mrekullueshme”.
Iniesta theksoi se sfida e radhës për Yamalin është ruajtja e këtij niveli, sidomos duke pasur parasysh se ai ka fituar trofe të rëndësishëm në një moshë shumë të re.
“E vetmja gjë është se sfida për një futbollist, dhe për skuadra si Barça, është nga viti në vit. Nuk bëhet fjalë për atë që ke fituar, por për atë që duhet të vazhdosh të fitosh çdo vit.
“Kjo është çelësi dhe kjo është sfida me të cilën përballen aktualisht të gjithë këta lojtarë që, në moshën e tij, kanë fituar tashmë disa trofe shumë të rëndësishëm, madje edhe më të rëndësishmit, por që tani kanë sfidën të vazhdojnë ta bëjnë këtë vit pas viti”.
Legjenda spanjolle pati fjalë të mëdha edhe për Rodrin, duke vlerësuar se ardhja e mesfushorit mund t’i rrisë Barcelonës mundësitë për të fituar Ligën e Kampionëve.
“Po, sigurisht. Të kesh një lojtar si Rodri padyshim që e ngre standardin.
“Një lojtar i tillë, në nivelin e tij, me rëndësinë që ka brenda skuadrës dhe me mënyrën se si e kupton lojën, padyshim që e çon ekipin në një tjetër nivel”, ka përfunduar Iniesta.
