Pak minuta pasi mbërriti në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të përmbushur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Sali Berisha në fjalën e mbajtur për mediat akuzoi SPAK-un për heshtjen e institucionit për ndryshimet ligjore të miratuara nga mazhoranca. Ndërsa pretendon se pa korridorin e SPAK të mbushur me dosje që sipas tij janë të destinuara për t’i djegur sepse i përkasin socialistëve.
Në fjalën e mbajtur për mediat, Berisha tha se ligji i votuar nga Rama i jep, sipas tij, “një goditje fatale” procesit të hetimit dhe akuzës.
Si herët e tjera, Berisha akuzoi drejtuesit e SPAK-ut për marrëveshjeje me Edi Ramën dhe sot tha sërish se institucioni në fjalë është “një seksion i shpifur i PS-së”.
“Tani ju jeni të gjithë kuriozë se çfarë gjeta unë aty. Aty, të gjithë po bënin gati valixhet. Po bënin gati valixhet, kishin mbushur korridorin me dosje që duket po i çonin t’i djegin dhe po brohorisnin rroftë Partia Socialiste.
Dëgjoni pak, me ligjin që kreu i tyre, Edi Rama votoi në parlament, i jep një goditje fatale hetimit, procesit të hetimit dhe procesit të akuzës.”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha u shpreh se Këshilli i Evropës nuk ka dhënë miratim për ndryshimet e bëra nga qeveria dhe ngriti pikëpyetje mbi heshtjen e SPAK për çështje me peshë që prekin hetimet, mediat dhe rolin e gjykatës.
“Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama. Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime dhe këtë ia ka bërë të qartë Edi Ramës.
Çfarë nënkupton heshtja e tyre? Heshtja e tyre nënkupton se këta janë pjesë e komplotit që i bëhet këtij vendi për të shkatërruar hetuesinë tani që në skenë erdhi Edi Rama me hajdutët e tij.
Pra, heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës, unë gjithnjë u kam deklaruar ju se ky është një seksion i shpifur i PS. A mundet një institucioni i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës? Që përjashton mediat nga misioni i tyre i informimit të publikut.”, shtoi më tej Berisha.

