Arratia e Artef Lekës ka përfunduar me ekstradimin e tij nga Brazili drejt Shqipërisë. Leka, sot 67 vjeç, është sjellë në vend për të vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkodrës për veprën penale “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, mbetur në tentativë”.
Rasti i tij përputhet me raportimet e mediave braziliane të tetorit 2024, kur Policia Federale arrestoi në João Pessoa, në shtetin Paraíba, një shtetas shqiptar 65-vjeçar, i dënuar me 26 vite burg për krim seksual. CNN Brasil raportonte se arrestimi u krye në lagjen Manaíra, pas një mandati të lëshuar nga Gjykata Supreme Federale e Brazilit, me kërkesë të autoriteteve shqiptare dhe përmes Interpolit.
Sipas të njëjtave të dhëna, urdhri i arrestit ishte lëshuar në Shqipëri në prill 2023, ndërsa kërkimi ndërkombëtar përmes “Red Notice” të Interpolit ishte aktivizuar në korrik 2023. Media lokale Paraíba Online shkruante se shqiptari u lokalizua nga Policia Federale braziliane dhe u arrestua në banesën e tij në një pallat rezidencial në Manaíra.
Burimet braziliane nuk e publikuan emrin e tij, por përshkrimi i rastit — shtetas shqiptar, dënim 26 vite burg, krim i vitit 2020, urdhër arresti nga Tirana, kërkim i Interpolit dhe arrestim në João Pessoa — përputhet me dosjen e Lekës.
Leka ishte shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës që në dhjetor 2021. Pas arrestimit në Brazil në tetor 2024, procedurat e ekstradimit zgjatën rreth dy vite, deri në sjelljen e tij në Shqipëri. Burimet braziliane konfirmojnë arrestimin dhe bazën ndërkombëtare të kërkimit; ndërsa ekstradimi është zhvillimi më i fundit i dosjes së tij.
Lini një Përgjigje