Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në votim morën pjesë 91 deputetë, që votuan në favor. Asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Më herët, kryeministri Albin Kurti tha se përgjegjësinë për krijimin e Dhomave të Specializuara e mbajnë ata që e votuan themelimin e tyre më 2015-ën, por ofroi përkrahje.
Ne po ju mbështesim sot.
Në seancën plenare të shqyrtimit të ndryshimeve, në prag të afatit të nesërm për të zgjedhur presidentin e vendit, Kurti i quajti ato “të ngutshme”, ndonëse dha OK-ein!
Kurti shtoi se për zbatimin e një strategjie shtetërore dhe kombëtare lidhur me proceset në Hagë, Kosovës i duhen institucione funksionale.
Për ta zbatuar strategjinë na duhen institucione funksionale: president dhe qeveri stabile. Adresa e fitores është Apeli e për këtë nevojitet organizim që nuk duhet të jetë partiak.
Kurti paralajmëroi se gjatë ditës do të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, por nuk dha detaje.
Që në nisje të seancës, Hamza iu bëri thirrje deputetëve të kenë qëndrim të përbashkët në votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ju lus, deputetë, që të kemi qëndrim unik në votimin e këtij projektligji. Nisma nuk duhet të shihet si ligj i PDK-së dhe as si çështje që prek vetëm mandatin e këtij Kuvendi. Ushtarë të UÇK-së ka në të gjitha partitë e Kosovës, ndaj është vlerë përtej një subjekti politik.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se partia e saj nuk mund të bëhet pjesë e nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Për LDK-në, lufta e UÇK-së është e shenjtë. Miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi nuk garanton zbatimin e tyre dhe nisma mund të mos prodhojë efekt juridik.
Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë bëri të qartë se partia e tij do t’i votonte ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të kërkuara nga PDK-ja pas vendimit të 16 shtatorit në Hagë për dënimin me 81 vite burg të 4 ish-krerëve të UÇK-së.
Anulimi i Dhomave të Specializuara do të ishte përgjigjja e drejtë për fyerjen që na është bërë. Aleanca e mbështet nismën që është para Kuvendit.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për krime lufte.