Sport

Rekordi që askush nuk dëshiron, Etrit Berisha në historinë e Kombëtares!

Etrit Berisha e nisi rikthimin e tij në formacionin e Shqipërisë me një moment për t’u harruar. Portieri kuqezi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 22-të të sfidës ndaj Finlandës, duke e lënë skuadrën me një lojtar më pak për pjesën e mbetur të takimit.

Berisha ndërhyri ndaj Hakans në një aksion ku finlandezi ishte nisur drejt zonës dhe gjyqtari nuk pati dyshime për masën disiplinore, duke i treguar direkt kartonin e kuq. Ky ishte kartoni i dytë i kuq i Berishës me fanellën e Kombëtares shqiptare. I pari kishte ardhur dhjetë vite më parë, në përballjen ndaj Izraelit, kur portieri u përplas me Eran Zahavin dhe u ndëshkua pas një goditjeje me kokë ndaj sulmuesit izraelit.

Me daljen e dytë nga fusha, Berisha barazon një tjetër emër të madh të historisë së Kombëtares, Lorik Canën, me të cilin tashmë ndan rekordin e dy kartonëve të kuq me fanellën kuqezi. Megjithatë, rekordin absolut e mban Edvin Murati. Ish-mesfushori, i njohur edhe si “Maradona i Ballkanit”, ka parë tri herë kartonin e kuq gjatë aventurës së tij me Shqipërinë.

LEXO EDHE: Historia përsëritet 10 vite më pas, çfarë lidh kartonin e kuq të sotëm me Etrit Berishën?

Murati është përjashtuar dy herë në ndeshje miqësore, përballë Maltës dhe Finlandës, ndërsa kartoni i tretë i kuq erdhi në një prej sfidave zyrtare më të vështira, atë ndaj Gjermanisë. Kështu, Berisha tashmë renditet mes futbollistëve shqiptarë me më shumë kartonë të kuq në historinë e Kombëtares, edhe pse rikthimi i tij ndaj Finlandës sigurisht që nuk shkoi sipas skenarit të dëshiruar.

LEXO EDHE: Ndeshje dramatike në Helsinki, Berisha del me të kuq, Finlanda përmbys kuqezinjtë!

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.