
Në komisionin e Ligjeve po diskutohet sot në parim për Reformën Territoriale që pritet të shkrijë 15 bashki duke e çuar numrin në total të këtyre institucioneve vendore në 46 të tilla nga 61 aktualisht.
Deputetët e opozitës u shprehën kundër kësaj reforme duke thënë se do të sillte shpopullim të mëtejshëm të vendit dhe kosto shtesë për banorët. Gjithashtu shtuan faktin se banorët e bashkive që preken nga këto ndryshime, kanë protestuar dhe mendimet e tyre nuk janë marrë parasysh.
“Hartë antikombëtare, shpopulluese. Nuk ka lidhje me zgjedhjet, por projekt shkombëtarizimi dhe shpopullimi jo vetëm i këtyre bashkive që shkrihen, por i gjithë Shqipërisë. Unë nuk e kuptojë sesi keni guxim dhe vazhdoni kur edhe votues tuaj kanë dalë në protestë kundër kësaj Reforme.
Ndërpriteni mbledhjen, nëse jeni pengje të Edi Ramës më mirë deklarojeni këtu se do shpëtoni nuk mund të rrini gjithë jetën peng. Këta banorë që kanë lënë punët e tyre për të protestuar këtu, do t’ju përndjekin gjithë jetën. Nuk keni ju mandat të merrni vendime për banorë e familje që i detyroni tani të bëjnë kilometra më shumë”- u shpreh Tedi Blushi i Partisë së Lirisë.
“Prrenjasi është pjesë e toskërisë, Librazhdi e gegërisë i ndan lumi Shkumbin. Nuk ka asnjë moment të lidhjes historike dhe organike të këtyre zonave. Aspekti tjetër është pjesa e konsultimit publik ku në Kushtetutë thuhet se kufijtë nuk mund të ndryshohen pa marrë mendimin e popullatës që banon aty. Në gjithë këto zona kanë qendër kundër, ju ende nuk e keni administruar këtë gjë nuk e keni në konsideratë”- tha Bledi Himçi i PD.
Nga ana tjetër socialistët vijojnë me procedurat duke qenë të vendosur për ndryshimet në ndarjen e re administrative-territoriale. Jashtë godinës janë pritur me protesta nga banorët e ardhur nga zona të ndryshme që preken nga reforma. Versus.al


