Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve draftin e Partisë Socialiste për ndryshimet në ndarjen territoriale, duke akuzuar mazhorancën se po vepron pa konsensus.
Korreshi tha se në vende të ndryshme të botës ekzistojnë bashki apo provinca me vetëm rreth 1 mijë banorë dhe se ndryshimet territoriale nuk duhet të bëhen kundër vullnetit të komuniteteve.
Ai deklaroi se disa këshilla bashkiakë kanë votuar kundër nismës, ndërsa kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen kryetarët e bashkive që kundërshtojnë draftin.
“Nuk mund të vish në Parlament me arrogancë se kemi 83 vota. Jo, nuk i keni për këtë çështje”, tha Korreshi, duke argumentuar se këshillat bashkiakë janë përfaqësues të komuniteteve lokale dhe qëndrimet e tyre duhet të merren në konsideratë.
Deputeti demokrat e cilësoi nismën si të njëanshme dhe tha se ajo bie ndesh me rekomandimet e OSBE/ODIHR për nevojën e konsensusit në çështje të tilla.
Korreshi kërkoi që të dyja nismat për ndarjen territoriale të diskutohen së bashku dhe të dëgjohen banorët përpara se të merret një vendim përfundimtar.
Sipas tij, mazhoranca nuk po ndërmerr një reformë të mirëfilltë territoriale, por po ndërton një hartë që i shërben interesave elektorale.
Reforma Territoriale është bërë pjesë e diskutimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ku deputeti demokrat Tomorr Alizoti ka kundërshtuar mënyrën e trajtimit të procesit, duke kërkuar që të merret parasysh qëndrimi i banorëve të zonave që preken nga ndryshimet.
Alizoti tha se çdo reformë territoriale kërkon kohë dhe konsultim, pasi lidhet drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve. Sipas tij, vullneti i banorëve dhe vendimmarrja e strukturave vendore nuk mund të anashkalohen nga shumica. Në vijim, deputeti i PD-së akuzoi mazhorancën se po anashkalon thelbin e diskutimit për të realizuar, sipas tij, një objektiv elektoral.