Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Edvin Lame, ka reaguar ditën e sotme me rastin e nisjes së universiteteve. Përmes një postimi në Instagram, ai iu është drejtuar me një mesazh tudentëve, prindërve, kolegëve dhe stafit akademik e administrativ, duke e cilësuar këtë ditë si një nga momentet e veçanta.
Po ashtu ai shprehet se secili prej studentëve e nis këtë rrugëtim me historinë, ëndrrat dhe pritshmëritë e veta, ndërsa disa do ta kenë të qartë që në fillim drejtimin ku duan të shkojnë dhe të tjerë do ta zbulojnë atë gjatë rrugës.
Gjithashtu Lame e ka cilësuar Fakultetin e Shkencave Sociale një nga mjedis ku njeriu është në qendër të dijes.
“Fakulteti i Shkencave Sociale është një mjedis ku njeriu është në qendër të dijes. Studimet tuaja këtu janë një mundësi për të kuptuar më mirë individin, komunitetin dhe shoqërinë; për të zhvilluar ndjeshmërinë sociale, përgjegjësinë dhe aftësinë për të kontribuar në mënyrë të dobishme në jetën e përbashkët,” thekson ai.
Postimi i plotë:
Të dashur studentë,
Të nderuar prindër,
Të dashur kolegë dhe anëtarë të stafit akademik e administrativ,
Sot është një ditë e veçantë, sepse rreth 400 studentë nisin një prej udhëtimeve më të rëndësishme të jetës së tyre: rrugëtimin në arsimin e lartë. Kjo nuk është thjesht nisja e një cikli të ri studimesh, është fillimi i një rruge të re të formimit, të zbulimit, të sfidave, të miqësive, të ideve dhe mbi të gjitha, i rritjes suaj si profesionistë dhe si qytetarë. Sot hapet një kapitull i ri dhe 400 histori të reja fillojnë të shkruhen në auditorët tanë. Secili prej jush vjen me një histori, një ëndërr, një pritshmëri dhe një potencial të veçantë. Disa prej jush mund ta dinë tashmë se ku duan të arrijnë; të tjerë do ta zbulojnë rrugës, të dyja janë krejtësisht të natyrshme. Le të jetë ky një udhëtim ku dija shoqërohet me humanizëm, ambicia me përgjegjësi, individualiteti me bashkëpunim dhe suksesi me dëshirën për t'i shërbyer shoqërisë.
Rruga që nisni sot është shumëdimensionale. Ajo do t'ju çojë përtej auditorëve dhe librave. Do t'ju përballë me dilema, zgjedhje, suksese dhe ndonjëherë edhe me vështirësi. Por pikërisht përmes këtyre përvojave do të ndërtoni jo vetëm një profesion, por edhe një pjesë të rëndësishme të identitetit tuaj. Fakulteti i Shkencave Sociale është një mjedis ku njeriu është në qendër të dijes. Studimet tuaja këtu janë një mundësi për të kuptuar më mirë individin, komunitetin dhe shoqërinë; për të zhvilluar ndjeshmërinë sociale, përgjegjësinë dhe aftësinë për të kontribuar në mënyrë të dobishme në jetën e përbashkët.
Të dashur studentë, mos kini frikë të bëni pyetje, të provoni, të gaboni dhe të filloni përsëri. Shpresoj ta përdorni dijen si një mundësi për të ndryshuar mënyrën se si e shihni veten dhe botën. Ruajeni kureshtjen, kërkoni të vërtetën, respektoni tjetrin dhe besoni te fuqia e punës suaj. Një urim i veçantë shkon sot për prindërit dhe familjet tuaja. Pas çdo studenti që nis sot universitetin qëndrojnë mbështetja, sakrificat, shpresat dhe besimi i një familjeje. Ju falenderojmë që i keni shoqëruar deri këtu dhe që do të vazhdoni t'i mbështesni në këtë etapë të re të jetës.
