Politikë

Peleshi pret delegacionin e Kongresit amerikan, partneriteti me SHBA dhe integrimi në BE në tryezën e bisedimeve!

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot një delegacion të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, kryetar i Komitetit për Partneritetin për Demokraci. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt.

Në qendër të bisedimeve ishte forcimi i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si edhe bashkëpunimi për përballimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me theks te rëndësia e reformave dhe forcimit të institucioneve demokratike në kuadër të negociatave.

Palët ndalën vëmendjen edhe te zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe marrëdhënieve të biznesit, me synim krijimin e më shumë mundësive për investime dhe partneritete mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

LEXO EDHE: Ambasada e SHBA zbardh takimin Wendt-Peleshi: Në fokus NATO, investimet dhe marrëdhëniet dypalëshe

Në diskutim ishte edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, si dhe nevoja për dialog konstruktiv mes forcave politike dhe grupeve parlamentare për avancimin e reformave, rritjen e transparencës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.

LEXO EDHE: PD letër Peleshit: Kuvendi prej dy muajsh nuk zbaton vendimin e Kushtetueses për Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 11 majit 2025!

Takimi rikonfirmoi rëndësinë e partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA-së për sigurinë, mbrojtjen e paqes, integrimin euroatlantik dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.