Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

KUSH është gjyqtari "tirons" që iu besua sot drejtimi i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda merr detyrën më 19 tetor (PROFIL)

Shkruar nga Newsbomb
KUSH është gjyqtari "tirons" që iu besua sot drejtimi i
Ilir Panda

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë ka miratuar sot kandidaturën e Ilir Pandës me 14 vota pro dhe asnjë votë kundër, duke i besuar atij drejtimin e Gjykatës së Lartë.

Burime për mediat bëjnë me dije se Panda do të marrë zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë më 19 tetor 2026.

Zgjedhja e tij u bë nga vetë trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, gjatë Mbledhjes së Përgjithshme, ku kandidatura e Ilir Pandës mori mbështetjen unanime të votave të hedhura.

Kujtojmë se Ilir Panda ishte i vetëm në garën për kreun e Gjykatës së Lartë. Pjesë e kësaj gjykate që prej 11 marsit 2020, Panda dorëzoi kandidaturën e tij më 11 shtator, që ishte dhe afati i fundit për të aplikuar.

Gara për kryetarin e Gjykatës së Lartë u hap në mesin e muajit gusht, pasi mandati 3-vjeçar i Sokol Sadushit përfundon më 17 tetor. Dy ditë më pas, më 19 tetor, Ilir Panda do të marrë në dorë drejtimin e Gjykatës së Lartë.

Kush është Ilir Panda:

Ilir Panda ka lindur në Tiranë, më 8 Gusht 1962. Është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mban gradën shkencore “Doktor”.

Ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Ka qenë ministër i drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.

Ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.

Po ashtu, Panda ka qenë dhe Këshilltar Ligjor i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ekspert lokal i Unicef, i Këshillit të Evropës dhe i organizatave të tjera. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, në vitet 2002-2007, anëtar i Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, anëtar i Këshillit Drejtues të “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe anëtar i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese