PROFIL/ U zgjodh në krye të Gjykatës së Lartë, kush është Ilir Panda
Ilir Panda është Kryetari i ri i Gjykatës së Lartë, i zgjedhur unanimisht me 14 vota pro më 5 tetor 2026. Ai do të marrë detyrën më 19 tetor 2026 duke pasuar Sokol Sadushin.
Panda ishte i vetëm në garë për postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë nisi zyrtarisht më 21 gusht procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit, pasi mandati i Sokol Sadushit, përfundon më 17 tetor 2026.
Kush është Ilir Panda
Ilir Panda është pjesë e Gjykatës së Lartë që prej 11 marsit 2020, kur u emërua anëtar i saj me dekret të Presidentit të Republikës.
Ai ka lindur në Tiranë më 8 gush 1962. Është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës,në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mban gradën shkencore “Doktor”.
Ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Ka qenë ministër i drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.
Ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.
Panda ka qenë, gjithashtu, Këshilltar Ligjor i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ekspert lokal i Unicef, i Këshillit të Evropës dhe i organizatave të tjera. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, në vitet 2002-2007, anëtar i Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe anëtar i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.




