PD mbledh Grupin Parlamentar, Berisha akuza Ramës: Pasi lau duart me Agasin, Hysenin dhe Beqirin, tani bën avokatin e tyre
Partia Demokratike ka mbledhur Grupin Parlamentar pasditen e kësaj të hëne. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj kreut të qeverisë, Edi Rama.
Sipas Berishës, Ergys Agasi, i arrestuar, si dhe ish-shefja e SHISH-it, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është vendosur masa e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “detyrim paraqitjeje”, në kuadër të hetimeve për çështjen e AKSHI-t, kanë vepruar me urdhër të kreut të qeverisë.
“Qëndrimet e padrinos janë një rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin dhe më gjerë. Ai është shndërruar në një avokat të Vlora Hysenit, Ergys Agasit, Ron Yeffet, Ermal Beqirit dhe Mirlinda Karçanajt.
I pabesë, i pakarakter siç është, pasi lau duart me ta, tani bën avokatin e tyre. Në çdo veprim dhe akt të koordinatorit Ergys Agasi, çdo veprim dhe akt të Ermal Beqirit, Linda Karçanajt dhe Vlora Hysenit është urdhri i Edi Ramës”, deklaroi Berisha.
Berisha tha gjithashtu se Vlora Hyseni ka dorëzuar sekretet më të rëndësishme të shtetit te kartelet e drogës.
“Kjo shkon në lartësinë e tradhtive më të mëdha. Këto kartele janë shpallur organizata terroriste nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Si mund të kenë partnerët mendim të shkëlqyer për një tradhtare të misionit të saj?
Ne kemi denoncuar aktivitetet antikushtetuese të SHISH-it. Kanë ndërmarrë akte me të cilat kanë shkelmuar Konventën e Vjenës ndaj përfaqësuesve të vendeve mike dhe partnere në Shqipëri. Kanë ndërmarrë akte të rënda ndaj qytetarëve dhe protestuesve. Këtu nuk ka qenë vetëm një njeri”, u shpreh Berisha.




