6 tetori është ditë e hidhur për familjen shkodrane Kalaja, pasi shtylla kryesore e saj, gjyqtari i mirënjohur Astrit Kalaja u vra në krye të detyrës, një vit më parë.
Newsbomb.al mëson se me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta të gjyqtarit, familja Kalaja pret vizita ditën e nesërme nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 12:00, në xhaminë Perash në Shkodër.
Astrit Kalaja u vra në krye të detyrës, pak minuta pasi shpalli vendimin në një çështje pronësie midis familjes Shkambi dhe familjes Kurtaj. Ishte Elvis Shkambi, njëri prej djemve të familjes shkodrane, ai që nxori armën dhe qëlloi për vdekje Kalanë.
Siç kemi raportuar dhe më parë, më 26 shtator u bë me dije se Prokuroria e Tiranës i komunikoi Elvis Shkambit akuzën “vrasje të funksionarëve publikë për shkak të detyrës”, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, më 5 tetor të vitit të kaluar.
Kush ishte Astrit Kalaja:
Me origjinë shkodran, Astrit Kalaja ushtroi profesionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, që prej Shkurtit të vitit 2023. Astrit Kalaja ishte anëtar i zgjedhur për të tretën herë në Kolegjin Zgjedhor.
Por ai e filloi “rrugëtimin” e tij në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, që prej 24 Nëntorit të vitit 1993, pasi u diplomua në fakultetin e Drejtësisë, si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku i shërbeu drejtësisë për 11 vite.
Më vonë që prej 2004-ës, deri më 2023 ushtroi detyrën si gjyqtar në gjykatën e Apelit në Shkodër, dhe më vonë u bë zv.Kryetar i së njëjtës Gjykatë.
Astrit Kalaja, ndër vite mori disa kualifikime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, dhe u rikonfirmua në detyrë pas procesit të vettingut të kryer në vitin 2019.
