
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për 16 të pandehurit e dosjes së call center-it, të akuzuar për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Në total, dënimet për 16 të dënuarit arrijnë në 118 vite burgim. Bruno Çobo, i konsideruar nga hetimet si drejtuesi i grupit, është dënuar me 8 vite burg, ndërsa pjesa tjetër e të pandehurve kanë marrë dënime nga 6 vite e 8 muaj deri në 7 vite e 4 muaj burg.
Sipas hetimeve, grupi kriminal operonte nga një call center në Tiranë dhe kontaktonte telefonikisht qytetarë italianë, të cilëve u ofrohej mundësia për të investuar online në aksionet e kompanisë Amazon, me premtime për fitime të shpejta dhe të mëdha.
Viktimat bindeshin të investonin shuma parash dhe më pas udhëzoheshin të instalonin aplikacionin AnyDesk, përmes të cilit autorët mund të merrnin akses në kompjuterët e tyre dhe në të dhëna të tjera.
Pas kësaj, viktimave u kërkoheshin pagesa të tjera, të paraqitura si komisione apo tarifa që duhej të paguheshin për tërheqjen e fitimeve të pretenduara.
Sipas dosjes hetimore, përmes kësaj skeme grupi dyshohet se ka përfituar rreth 4.7 milionë euro nga qytetarë të vendeve të Bashkimit Evropian.
Bruno Çobo, i konsideruar si drejtuesi i grupit, u arrestua në Dubai dhe u ekstradua në Shqipëri më 13 mars 2024, duke iu bashkuar procedimit penal të nisur ndaj grupit.
Të pandehurit janë shpallur fajtorë për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, dënimet e dhëna nga shkalla e parë mbeten në fuqi./Versus.al

