
Arrestohet Feta Metaj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit.
Fetah Mataj prej vitesh punonte në komunalen e Durrësit, ndërsa u emërua Përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane vetëm pak ditë pas skandalit në Postën e Durrësit në të cilën u përfshi bashkëshortja e tij, e cila i nxirrte paratë më thasë të zinj.
Arrestimi është bërë pasi gjatë marrjes në pyetje, një punonjëse e filialit të postës ka deklaruar se Fetah Mataj, burri i drejtoreshës u kërkonte çdo muaj punonjëseve shumën prej 25 mijë lekëve.
“Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.”– njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Elisabeta Mataj akuzohet për përvetësimin e mijëra eurove nga Posta Shqiptare Filiali i Durrësit, dhe aktualisht ndodhet nën masën e ‘arrestit në shtëpi’.
Mataj ndodhej në paraburgim prej 18 korrikut, nën hetim për dyshimet mbi vjedhjen në bashkëpunim përmes shpërdorimit të detyrës të 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, u lirua më 25 shtator nga burgu pas 2 muaj paraburgim pasi u akuzua se bashkë me ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana përvetësuan 700 mijë euro të destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak.
Sipas hetimeve, kamerat e sigurisë kanë dokumentuar 11 raste kur thasët me para përfundonin në zyrën e ish-drejtoreshës, ndërsa në sistem fondet regjistroheshin si të dërguara në dy degët. Prokuroria po heton edhe dyshimet se paratë mund të jenë shpenzuar në kazino.
Njoftimi i policisë
Durrës
Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./Versus.al

