Protesta e zhvilluar para Kuvendit të Kosovës është tensionuar gjatë seancës së jashtëzakonshme plenare, ku deputetët po shqyrtojnë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka shoqëruar një protestues, i cili dyshohet se ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të godinës së Kuvendit.
Situata është përshkallëzuar gjatë fjalimeve të deputetëve, ndërsa nga protesta janë hedhur mjete piroteknike në drejtim të objektit të Kuvendit. Për shkak të tensioneve, autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë përreth godinës.
Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbështetje të ndryshimeve të propozuara në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ndërkohë, brenda Kuvendit vijon seanca plenare, ku deputetët po diskutojnë projektligjin. Më herët, nisma ishte miratuar nga Komisioni për Legjislacion me 9 vota pro dhe asnjë kundër.
Tensionet janë shtuar në momentin kur deputetët kanë nisur diskutimet në sallën plenare, ndërsa jashtë godinës protestuesit vijojnë tubimin nën masa të shtuara sigurie.
Policia e Kosovës pritet të japë detaje të tjera lidhur me shoqërimin e protestuesit dhe situatën e krijuar gjatë protestës.

