
Projektligji për reformën e re administrative-territoriale ka marrë miratimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, duke kaluar kështu në fazën e fundit përpara votimit në seancë plenare.
Drafti u miratua me votat e mazhorancës. Tetë deputetët socialistë të pranishëm në mbledhje votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Në momentin e votimit, në sallë nuk ishte i pranishëm asnjë deputet i opozitës. Opozita ka bojkotuar procesin parlamentar për reformën e re territoriale, duke kundërshtuar mënyrën se si po zhvillohet procesi dhe përmbajtjen e nismës.
Pas miratimit në komision, projektligji është përcjellë për procedurat e mëtejshme parlamentare, me qëllim përfshirjen në rendin e ditës së Kuvendit.
Sipas kalendarit të punimeve parlamentare, reforma e re administrative-territoriale pritet të votohet në seancën plenare të së enjtes, 8 tetor.
Nisma pritet të shoqërohet me debate në Kuvend, ndërsa kundërshtime ndaj saj kanë shprehur edhe banorë të disa zonave që preken nga ndryshimet e propozuara në ndarjen administrative të vendit.
Miratimi i reformës në seancë plenare do të jetë hapi vendimtar për ndryshimin e hartës administrative-territoriale të Shqipërisë.

