
Një efektiv i Policisë së Shtetit është arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se ka marrë para në këmbim të favorizimit të një personi ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
AMP, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka arrestuar inspektorin Çlirim Torra, me detyrë Specialist për Sigurinë Publike pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, në varësi të Komisariatit të Policisë Librazhd.
Sipas hetimeve, efektivi dyshohet se ka marrë një shumë parash për të favorizuar shtetasin me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Dyshohet se polici do t’i mundësonte personit nën masën e sigurisë të shkelte kufizimin dhe të largohej nga banesa, në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj inspektorit rëndojnë dyshimet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shpërdorim detyre”.
AMP bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaron se do të vijojë të godasë rastet e korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit nga punonjësit e strukturave ligjzbatuese./Versus.al

