BOTA /

Si e rrëzoi nga pushteti kryeministrin spanjoll një grua 87-vjeçare

Pamjet e 87-vjeçares duke dalë nga banesa në barelë, mes një pranie të madhe policore dhe protestuesve që tentonin të pengonin dëbimin, u shpërndanë gjerësisht dhe shkaktuan reagim të fortë publik.

Shkruar nga Versus

Si e rrëzoi nga pushteti kryeministrin spanjoll një grua

Historia e një gruaje 87-vjeçare është kthyer në simbolin e krizës së strehimit në Spanjë dhe ka ndezur protesta masive në vend, duke i dhënë një goditje të fortë qeverisë së kryeministrit Pedro Sánchez.

Maricarmen Abascal kishte jetuar për 71 vite në të njëjtën banesë në Madrid, në lagjen Retiro. Por më 23 shtator ajo u dëbua nga apartamenti, pas një beteje disa vjeçare me pronarët e rinj të godinës.

Qiraja që ajo paguante ishte rreth 500 euro në muaj, ndërsa pronarët kërkuan rreth 1,650 euro. Maricarmen merr një pension prej rreth 1,350 eurosh, çka e bënte praktikisht të pamundur përballimin e qirasë së re.

Pamjet e 87-vjeçares duke dalë nga banesa në barelë, mes një pranie të madhe policore dhe protestuesve që tentonin të pengonin dëbimin, u shpërndanë gjerësisht dhe shkaktuan reagim të fortë publik.

Rasti u shndërrua në simbol të një krize shumë më të gjerë në Spanjë, ku rritja e qirave dhe mungesa e banesave të përballueshme kanë shtuar zemërimin qytetar.

Në Madrid dhe qytete të tjera u zhvilluan protesta për strehimin. Për protestën e madhe të fundjavës në Madrid, autoritetet raportuan rreth 70 mijë pjesëmarrës, ndërsa organizatorët pretenduan 500 mijë.

Në këtë klimë tensioni, qeveria e Sánchez paraqiti në Parlament masa emergjente për strehimin, përfshirë mbrojtje më të madhe për qiramarrësit vulnerabël dhe kufizime ndaj dëbimeve. Por masat u rrëzuan në Kongres, duke ekspozuar dobësinë e shumicës parlamentare të qeverisë.

Pas kësaj goditjeje politike, Pedro Sánchez nuk dha dorëheqjen, por njoftoi zgjedhje të parakohshme parlamentare për 29 nëntor 2026, disa muaj para afatit të zakonshëm.

Kështu, çështja e Maricarmen është kthyer nga një histori individuale në një prej simboleve të krizës së strehimit që tashmë është futur në qendër të betejës politike në Spanjë.

Ndërkohë, pas protestave dhe presionit publik, pronari i banesës ka arritur një marrëveshje të re që i lejon 87-vjeçares të rikthehet në apartament me një qira të lidhur me të ardhurat e saj./Versus.al

Poll