Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe Të Drejtat e Njeriut ka miratuar me votat e socialistëve projektligjin për reformën e re administrative-territoriale, duke i hapur përfundimisht rrugë kalimit të nismës për votim në seancë plenare.
Nisma ligjore mori mbështetjen e plotë të mazhorancës, ku tetë deputetët e Partisë Socialiste të pranishëm në komision votuan pro drafstit, ndërsa nuk u regjistrua asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Në momentin e zhvillimit të procedurës së votimit, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve nuk ishte i pranishëm asnjë deputet nga radhët e opozitës, e cila ka braktisur procesin parlamentar lidhur me këtë nismë.
Pas miratimit të tekstit në komision, projektligji është proceduar pranë organeve drejtuese të Kuvendit.
Sipas kalendarit të përcaktuar, drafti i reformës administrative-territoriale do të kalojë për votim përfundimtar në seancën plenare të së enjtes, më 8 tetor, ku pritet të votohet nga deputetët.












