Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

SPAK kishte zbarkuar në Ministrinë e Mbrojtjes, Ambasada Amerikane tregon takimin e ambasadorit Wendt me ministrin Nufi: Ç’u diskutua mes tyre

Shkruar nga Newsbomb
SPAK kishte zbarkuar në Ministrinë e Mbrojtjes, Ambasada Amerikane
Ambasadori Wendt me ministrin Ermal Nufi

Në të njëjtën ditë kur Byroja Kombëtare e Hetimit zhvilloi veprime në Ministrinë e Mbrojtjes në kuadër të çështjes “KAYO”, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, zhvilloi një takim me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi. Takimi mes Wendt dhe Nufit është zhvilluar javën e kaluar dhe është bërë publik sot nga Ambasada Amerikane në Tiranë përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas Ambasadës Amerikane, biseda është përqendruar te bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në fokus ka qenë forcimi i gatishmërisë operacionale përmes partneritetit 25-vjeçar mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, rritja e kapaciteteve të NATO-s dhe kontributi i Shqipërisë në sigurinë ndërkombëtare.

Në takim është diskutuar edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën, ndërsa pala shqiptare ka theksuar rolin e vendit në misionet dhe angazhimet ndërkombëtare.

Nga ana e tij, ministri Nufi ka vlerësuar Shtetet e Bashkuara si një partner të rëndësishëm për Shqipërinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ai ka përmendur edhe Korridorin VIII, Porto Romanon, Bazën Ajrore të Kuçovës dhe kapacitetet e Shqipërisë për mbështetjen e vendit pritës, si elementë që sipas tij forcojnë arkitekturën e NATO-s në rajon.

“Më të fortë së bashku! Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partneri kryesor i Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Gjatë takimit me Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Ambasadori Eric Ëendt diskutoi se si forca e aleancës sonë dëshmohet me veprime konkrete: forcimin e gatishmërisë operacionale përmes partneritetit 25-vjeçar me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, rritjen e kapaciteteve të NATO-s dhe mbrojtjen e sigurisë globale përmes kontributit jetik të Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën (ISF)”, shkruhej në postimin e Ambasadës Amerikane.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese