Policia e Durrësit ka ndaluar sot Feta Matajn, bashkëshortin e ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare, Filiali Durrës, Eliabeta Mataj.
Ai është arrestuar nën akuzën e gjobëvenies.
Specialistët për Krimet e Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar ndaj 44-vjeçarit masën e sigurimit personal ‘Arrest në burg’.
Sipas njoftimit të policisë, Mataj, banues në lagjen nr. 15 në Durrës, dyshohet për veprën penale ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim’.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
Arrestimi i tij vjen rreth një muaj pasi Mataj ishte emëruar në detyrën e zv/drejtorit të Ndërmarrjes Komunale të Pastrim-Gjelbërimit në Bashkinë Durrës.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Eliabeta Mataj, ka mbajtur më herët detyrën e drejtoreshës së Postës Shqiptare, Filiali Durrës dhe u arrestuar për vjedhjen e 700 milione lekeve, pensione te qytetareve.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa ndaj Feta Matajt vlen parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
© SYRI.net