Dy persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 10 të tjerë janë plagosur pasi një anije që transportonte grurë është përfshirë nga flakët në Detin e Zi, të hënën pasdite, në një zonë jashtë ujërave territoriale të Rumanisë.
Sipas Reuters, duke iu referuar autoriteteve rumune, viktimat dhe të plagosurit ishin pjesë e ekuipazhit të anijes Royal Mammadov, e cila, sipas mediave rumune, përfshirë Digi24, lundronte nën flamurin turk.
Mediat rumune raportojnë se anija mund të jetë goditur nga një ose dy dronë. Megjithatë, autoritetet rumune ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht shkakun e shpërthimit dhe zjarrit në bord.
Incidenti ndodh në një periudhë tensionesh të shtuara në Detin e Zi, ku vendet përgjatë krahut lindor të Evropës, përfshirë Rumaninë, anëtare e NATO-s, janë përballur me incidente të përsëritura me mjete ajrore pa pilot, disa prej të cilave dyshohet se kanë origjinë ruse.
Edhe Turqia, flamurin e së cilës mbante anija e përfshirë në incident, është anëtare e NATO-s.
Në gusht, një avion luftarak shkatërroi një dron detar të pajisur me eksploziv pranë projektit më të madh të gazit në det të hapur në Evropë, në Detin e Zi. Ngjarja ndodhi vetëm disa orë pasi një tjetër dron kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune dhe ishte rrëzuar pranë kufirit me Ukrainën.
Pas këtij incidenti, presidenti rumun Nicuşor Dan akuzoi Rusinë dhe dënoi atë që e cilësoi si përshkallëzim të “incidenteve të papërgjegjshme” nga Moska.
Autoritetet rumune vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të sulmit dhe nëse anija ishte objektivi i drejtpërdrejtë i dronëve.

