Durrës/ Arrestohet bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës, Fetah Mataj
Policia e Durrësit ka arrestuar Fetah Matajn, bashkëshortin e ish-drejtoreshës së Postës, e cila është arrestuar më herët në lidhje me vjedhjen e rreth 700 mijë eurove.
Sipas Policisë, arrestimi i Matajt është kryer nga Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
44-vjeçari, banues në lagjen nr. 15, Durrës, është lënë në masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi dyshohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Pak ditë më parë, Fetah Mataj ishte emëruar zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në Durrës.
“Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
/vizionplus.tv




