Një seri dokumentesh të publikuara nga deputeti Belind Këlliçi ngrenë pikëpyetje mbi përdorimin e një pasurie shtetërore në dokumentacionin e paraqitur nga kompania TIMAK për një tender në Ukrainë gjatë vitit 2025. Në dokumentet e dorëzuara për procedurën e prokurimit, TIMAK ka paraqitur si pjesë të kapaciteteve të veta një magazinë që deklarohet se e ka në përdorim. Dokumentacioni është dorëzuar nga drejtuesja e kompanisë, Arjeta Puça.
Por, pikërisht kjo pasuri është pika ku nis pikëpyetja. Sipas dokumenteve të pronësisë të publikuara nga deputeti, bëhet fjalë për ambientet e ish Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve, një pasuri që me vendim të Këshillit të Ministrave, i është kaluar në pronësi KAYO sh.a.
Këlliçi pretendon se me 13 korrik 2025, TIMAK e ka paraqitur këtë magazinë në dokumentacionin e tenderit në Ukrainë si pasuri në përdorim të kompanisë, ndërkohë që ajo rezultonte në pronësi të KAYO-s. Natyrisht pyetja që lind është: Mbi çfare baze ligjore e përdorte TIMAK këtë pasuri dhe kush i kishte dhënë kompanisë të drejtën ta paraqiste atë si pjesë të kapaciteteve të saj në një tender ndërkombëtar?
Pra, sipas kronologjisë së paraqitur nga deputeti, TIMAK e kishte përdorur dhe paraqitur si kapacitet të saj këtë pronë në korrik, ndërsa vetëm një muaj më vonë KAYO u bë aksionere në TIMAK DEFENCE dhe do të kontribuonte me të njëjtën pasuri.
