Lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm ka qenë në fokus të takimeve të ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Eric Wendt, me drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë bëri të ditur se gjatë takimeve është diskutuar mbi rolin e institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave, si dhe për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
Ambasada amerikane theksoi se lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm është ndër përparësitë kryesore të administratës së Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Në fokus ka qenë gjithashtu kontributi i partneritetit SHBA-Shqipëri në përforcimin e sigurisë dhe përballimin e kërcënimeve që lidhen me krimin e organizuar dhe aktivitetet kriminale ndërkufitare.
“Lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm është ndër përparësitë kryesore të Presidentit Donald Trump. Ambasadori Eric Wendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave dhe se si partneriteti ynë kontribuon për një të ardhme më të sigurt e më të begatë për të dy kombet tona”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve.

