Nuk ka qetësi për ndërmarrjen e trajtimit të mbetjeve urbane në Elbasan. 5 vjet më parë u vu nën sekuestër inceneratori i qytetit, i ngritur nga kompania private Albtek Energy. Hetimet në atë kohë do të shënonin valën e parë të arrestimeve që përfshinë projekte të ngjashme dhe në Fier e Tiranë.
Inceneratori i Elbasanit i kaloi në menaxhim ndërmarrjes publike Eco Elb, administrator I së cilës, Leli Kaja, u vë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Kaja u kap në flagrancë për një rast të pastër korrupsioni. Sipas njoftiit të SPAK, ai i kishte kërkuar ryshfet një kompanie private, në këmbim të favoreve që ai mund t’i ofronte asaj, duke anashkaluar detyrën e tij.
Mësohet se ka qenë kompania private e cila ka bërë kallëzimin, dhe në lojë është futur dhe Byroja kombëtare e Hetimit, e cila ka simuluar veprimet që çuan në arrestimin e Kajës. Ky i fundit kishte kërkuar 400 mijë lekë të rinj. BKH i ka dhënë shumën e parave përfaqësuesit të kompanisë private, i cili ka shkuar e ia ka dorëzuar Kajës. Gjithçka nën vëzhgimin e agjentëve të BKH-së, të cilët kanë ndërhyrë pak pasi Kaja ka marrë paratë, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit personal ndaj tij.
Hetimi i këtij rasti mund të jetë më I shkurtri në historinë e SPAK-ut. Çështja është regjistruar më datë 1 tetor, të enjten e kaluar dhe është mbyllur këtë të henë. Kaja ishte emëruar administrator i Eco Elb në tetor të vitit 2022, dhe vitin e kaluar ishte rikonfirmuar në detyrë edhe për një mandat tjetër tre vjeçar.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.








Komente
Komento