Teksa ambasadori i ri amerikan, Eric Wendt, zhvillonte sot një takim me kreun e SPAK, Klodian Braho, Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar një aksion në qytetin e Elbasanit. Edhe pse deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar nga institucionet, mediat raportojnë se në fokus të operacionit është administratori i kompanisë “ECO-ELB”, Leli Kaja, i cili dyshohet se është vënë në pranga në lagjen “Fushë Mbret”.
Aksioni lidhet me hetimin për menaxhimin e mbetjeve dhe marrëdhëniet financiare të “ECO-ELB” me bashkitë e qarkut Elbasan. Hetimi kishte nisur në vitin 2024 nga Prokuroria e Elbasanit dhe më pas është zgjeruar te marrëdhëniet institucionale dhe financiare mes kompanisë dhe bashkive të qarkut. Në kuadër të dosjes janë marrë në pyetje dhjetëra persona, ndërsa janë verifikuar kontrata dhe pagesa që lidhen me shërbimet e menaxhimit të mbetjeve.
Detaje të tjera pritet të zbardhen në vijim për aksionin e BKH-së dhe personat që mund të jenë në fokus të hetimit.

