Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zgjodhi të hënën më 5 tetor kryetarin e ri të kësaj gjykate, gjyqtarin Ilir Panda me 14 vota pro dhe asnjë kundër. Panda e merr detyrën më 19 tetor, duke zëvendësuar kryetarin aktual, Sokol Sadushi, i cili përmbyll mandatin tre vjeçar pas dy javësh.
Ilir Panda është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Panda mban gradën shkencore “Doktor”.
Ai ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, si në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë.
Po ashtu, Panda ka qenë ministër i Drejtësisë në vitet 1999-2000 dhe zv. kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2003-2007.
Ilir Panda ka qenë gjithashtu një prej ekspertëve të nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi. Ai u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë me dekret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të datës 11 mars 2020.






